Kushtetuesja reagon pas deklaratës së Ramës për pagat e gjyqtarëve: E papranueshme

Gjykata Kushtetuese ka publikuar një reagim në faqen zyrtare ku shprehet se çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj institucional, është e papranueshme.

Reagimi i Kushtetueses vjen një ditë pas një reagimi me tone të ashpra të kryeministrit Edi Rama lidhur me kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagave të bërë në Gjykatën Kushtetuese. Rama e ka konsideruar kërkesën e tyre “një praktikë të paprecedentë dhe të dëmshme për ekzekutivin dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri”.

Reagimi i Gjykatës Kushtetuese:

“Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.

Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve”.

Të Fundit