Kush janë të “fortët” e arrestuar në restorantin në Lalëz, detaje nga operacioni

Policia ka ndërmarrë një aksion të befasishëm në ambientet e një restoranti në Gjirin e Lalzit në Durrës pasi kishte marrë informacione se një grup personash po qëndronte në ambientet e lokalit dhe ishin të armatosur.

Pas këtij informacioni, forcat speciale kanë ndërhyrë duke arrestuar 7 persona me precedentë të rrezikshëm kriminalë, të cilët ndodheshin të ulur në të njëjtën tavolinë.

“Ditën e djeshme, Policia e Durrësit siguroi informacion se disa shtetas të shpallur në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndodheshin në një restorant në Gjirin e Lalzit dhe dyshohej se ishin të armatosur. Shërbimet policore ndërhynë në mënyrë të befasishme në ambientet e restorantit, ku ndodheshin shtatë persona të ulur në një tavolinë, prej të cilëve tre rezultuan me rrezikshmëri të lartë. Gjatë operacionit u arrestuan të shtatë shtetasit, ndërsa nga kontrolli fizik u sekuestruan katër armë zjarri tip pistoletë me fishekë në folé, të gatshme për qitje, që dyshohet se i mbanin me vete në mënyrë të paligjshme”, thotë policia.

Të arrestuarit janë:

Xhevdet Plaku, 45 vjeç, banues në Durrës. I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pas urdhrit të Gjykatës së Breshias (Itali) për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Plaku ishte arratisur nga burgu i Ankonës në janar 2025. Gjatë kontrollit, iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me fishek në fole, gati për qitje.
Flobens Mecia, alias “Gega”, alias “Drini”, 43 vjeç, banues në Shkodër. I kërkuar nga SPAK dhe me masë sigurie “Arrest në burg” për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje”. Gjatë kontrollit iu gjetën dy dokumente të falsifikuara dhe një armë zjarri pistoletë me fishek në fole.
Voltan Xhani, 39 vjeç, lindur në Përmet dhe rezident në Holandë. I shpallur në kërkim për “Trafikim mjetesh motorike” dhe “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje”, lidhur me një hetim për vrasje me armë zjarri në Shkodër. Iu gjet një armë zjarri pistoletë me fishek në fole në çantën personale.
Jugert Xhani, 35 vjeç, lindur në Përmet. Akuzohet për “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
O. H., 38 vjeç, banues në Mamurras – nën hetim për “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
F. Q., 36 vjeç, banues në Tiranë – nën hetim për të njëjtat vepra penale.
A. H., 45 vjeç, banues në Mamurras – i dyshuar për “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Gjatë operacionit, përveç armëve të zjarrit, u sekuestruan shuma të konsiderueshme parash në euro dhe sende të tjera me interes hetimor.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale të kësaj grupi dhe lidhjet e tyre me ngjarje të rënda të ndodhura në vend.

Të Fundit