Kurti nuk paraqitet për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale: Të vijnë në zyrën time

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur as këtë të hënë në Prokurorinë Speciale, ku ishte ftuar për të dëshmuar lidhur me çështjen e rezervave shtetërore. Kjo shënon herën e tretë që Kurti nuk i përgjigjet ftesës së organit të drejtësisë.

Në kohën kur pritej të jepte dëshminë e tij, Kurti ndodhej në Gjilan, ku mori pjesë në ceremoninë për nisjen e punimeve të një çerdheje të re.

Duke komentuar situatën, ai deklaroi se është i gatshëm të dëshmojë, por kërkoi që kjo të ndodhë në Zyrën e Kryeministrit.

“Nëse Prokuroria e ka pasur të rëndësishme dëshminë time, atëherë ata duhet të vinin tek unë. Kjo Prokurori më shumë po e lufton qeverinë sesa krimin dhe korrupsionin,” tha Kurti gjatë vizitës së tij në Gjilan.

Sipas vendimit të Gjykatës Themelore, Kurti ishte i detyruar të paraqitej më 4 mars në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi në lidhje me rezervat shtetërore.

Të Fundit