Një 69-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi ishte pronari i një magazine të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet llambave.
Policia bën me dije se është arrestuar 69-vjeçari Robert Naslazi, ndërsa është shpallur në kërkim një 35-vjeçar, i cili kur ka konstatuar se në afërsi të magazinës po shkonte policia i ka vënë zjarrin ambienteve të brendshme të saj që të digjte provat dhe është larguar nga vendngjarja duke mos iu bindur urdhrit të policisë për të ndaluar.
“Shtetasi V. Xh., kur ka konstatuar në afërsi të magazinës në pronësi të shtetasit R. N. dhe në përdorim nga ana e tij, shërbimet e Policisë që kishin shkuar për të ushtruar kontroll pas informacioneve të grumbulluara se kjo magazinë mund të ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike dhe për t`i marrë deklaratë këtij shtetasi në lidhje me një ngjarje tjetër, 35-vjeçari i ka vënë zjarrin ambienteve të brendshme të saj, me qëllim që të eliminonte provat materiale dhe është larguar nga vendngjarja, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar”, njofton policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në magazinë, forcat e Policisë konstatuan vjedhje të energjisë elektrike dhe gjetën të montuara disa pajisje elektrike dhe hidraulike që dyshohet se mund të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga këto struktura u procedua penalisht edhe R. R., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së, i cili dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke mos ushtruar kontroll në këtë magazinë.