Policia spanjolle ka arrestuar pesë persona të akuzuar për mashtrimin e dy grave duke iu paraqitur si ylli i Hollivudit, Brad Pitt.
Të dyshuarit kontaktuan me gratë në një faqe interneti për fansat e aktorit dhe i shtynë ato të besonin se “kishin një marrëdhënie sentimentale me të”. Sipas policisë spanjolle, 5 personat në fjalë arritën t’i merrnin secilës prej grave nga 150 000 euro.
Sipas mashtruesve paratë do të shkonin për projekte të ndryshme të ndërmarra nga aktori, por që në realitet nuk ekzistonin.
“Kriminelët kibernetikë, për të kapur viktimat, kishin studiuar rrjetet e tyre sociale dhe kishin bërë një profil psikologjik të tyre, duke zbuluar se të dyja gratë ishin dy persona të pambrojtur, me mungesë afeksioni dhe në gjendje depresioni”, tha policia.
“Ata përdorën gjithashtu platforma të mesazheve të çastit për të shkëmbyer mesazhe dhe emaile me dy gratë derisa arritën në një pikë ku ato besuan se po bisedonin përmes ËhatsApp me vetë Brad Pitt, i cili u premtoi atyre një lidhje romantike dhe një të ardhme së bashku”.
Policia arrestoi pesë persona në rajonin jugor të Andaluzisë, duke përfshirë udhëheqësit e dyshuar të grupit.
Policia bastisi pesë shtëpi si pjesë e operacionit, duke sekuestruar disa telefona celularë, karta bankare, dy kompjuterë dhe një ditar “në të cilin ishin shkruar frazat e përdorura nga mashtruesit për të mashtruar viktimat e tyre”.
Oficerët ishin në gjendje të rikuperonin 85,000 euro të marra nga dy gratë.