Tashmë që sezoni veror po hyn në pikun e tij, perceptimi në bregdetin e qarkut të Vlorës, nëse ka më shumë pushues këtë vit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë është i ndryshëm. Pushuesit që frekuentojnë prej vitesh plazhin e Orikumit, shprehen se këtë sezon duken më pak pushues në këtë plazh.
Për administratorin e një restoranti dhe plazhi privat, deri më tani numri i pushuesve në subjektin e tij përllogaritet në rreth 30 për qind më i ulët, si në shezlonge ashtu edhe në restorant.
Sakaq për kryebashkiakun e Vlorës përceptimi mbi numrin e turistëve është relativ. Ai pranon që zakonisht në Vlorë fluksi konstatohet pas gjysmës së parë të muajit korrik. Ndërsa shprehet se këtë sezon ka një shtrirje të turistëve në një vijë më të gjerë bregdetare. Por apelon subjektet akomoduese dhe ato të shërbimit që të kenë kujdes me çmimet dhe të mendojnë për ardhmen afatgjatë.
Këtë sezon veror në Vlorë konstatohet që një numër i konsiderueshëm i turistëve vendas dhe të huaj u janë drejtuar apartamenteve që reklamohen në faqet online, duke refuzuar akomodimet në hotelet apo subjektet akomoduese pranë bregdetit.