Deputeti i AAK-së Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të formojë Komisionin shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
“Unë i propozoj Qeverisë që të formojë komisionin shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Ai komision nuk është ekzistues, ka pas shkarkime dhe dorëheqje. Ju premtoj që si Aleancë do ju përkrahim për formimin e këtij komisioni”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj në fjalën e tij ka shtuar se arsyeja që duhet të krijohet ky komision, është sepse nuk ka ndodh demarkimi me Malin e Zi. “Komisioni i Kosovës dhe ai i Malit të Zi, nuk i kanë qit gurtë. Kufiri që është sot është ai që e kemi gjet para marrëveshjes”, u shpreh Haradinaj.
Ndër të tjera deputeti i AAK-së, ka shtuar se Kuvendi i Kosovës është I detyruar për t’i zbatuar të vendimet e raportit të Komisionit Shtetëror.
“Nëse nuk respektohet raporti i këtij komisioni atëherë bëhet shkelje ligjore por edhe Kushtetuese. Nëse Mali i Zi nuk shpreh gatishmëri të ecet në këtë radhë, atëherë kjo çështje duhet të kalojë në arbitrazh. Mali i Zi është vend mik dhe nuk kem arsye me krijuar tensione të panevojshme”, tha Haradinaj./