“Ku ishte shteti kur u ndërtua pa leje”? Rama: Nuk ka lindur ndërtues që më blen mua me kate pallatesh

Pas nisjes së aksionit të qeverisë për konfiskimin apo bllokimin e ndërtesave, shtesave dhe kateve pa leje, pati edhe pyetje se “përse nuk kishte vepruar shteti kur u ndërtuan këto objekte”.

E pikërisht pyetjes se “ku ishte shteti”, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet në Facebook, duke thënë se pyetja që duhet të bëhet është se ku ishin inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës që kanë lejuar abuzime.

Ndër të tjera, Kryeministri thotë edhe sot ndërtimet pa leje janë ulur ndjeshëm, megjithëse beteja në këtë front vazhdon. Megjithatë, Rama shprehet se operacioni për konfiskimin e kateve dhe metrave shtesë pa leje ka nisur pikërisht nën udhëheqjen e tij për të mos lejuar abuzimet.

REAGIMI I KRYEMINISTRIT EDI RAMA:

KU ISHTE SHTETI KUR U NDËRTUA?

E kam ndeshur këtë pyetje në komente mbi operacionin më të fundit të qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi. Pyetja në fakt është ku ishin inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës ku janë bërë të tilla abuzime! Këtë do ta mësojmë nga hetimi që ka nisur paralelisht, ndërkohë që pa dashur të humbas kohën e askujt të cilit nuk i mbushet mendja, po as timen për t’iu mbushur mendjen atyre që s’duan, them se janë disa gjëra që duhen mbajtur parasysh:

E para, sot këto lloj ndërtimesh janë ku e ku më pak se dje dhe janë ku e ku më pak, pikërisht sepse ka ku e ku më shumë shtet, ligj, rregull se deri dje.

E dyta, kjo nuk është një ndeshje futbolli dhe as një betejë e vetme, po një luftë e gjatë, ku avantazhi i shtetit e i ligjit në terren nuk merret kollaj, po me mund e durim të madh.

E treta, ky operacion bazohet në ndryshimet e reja ligjore, që dolën si mësim në rrugën plot kthesa e befasira të kësaj lufte dhe në një vullnet të papërkulur për ta çuar këtë luftë të gjatë deri në fund.

E katërta, ka shumë të ngjarë që me mbylljen përfundimtare të rrugës së legalizimit dhe konfiskimet e këtyre hapësirave abuzive për interes publik, të vuloset edhe fundi i kësaj praktike të neveritshme.

E pesta dhe e fundit, e cila është edhe personale dhe e kam me ata që më dinë si veten e tyre apo më akuzojnë për gjëra që mesa duket do t’i bënin vetë në vendin tim: Po të kishte lindur ndërtuesi që më blinte mua me kate e me metra pallatesh, ky operacion nuk do ndodhte kurrë me nxitjen dhe nën udhëheqjen time. Kaq.

Të Fundit