Samet Muca denoncon për “Stop”, se banesa e tij në Marikaj, e dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019, ka mbetur e papërfunduar edhe pse fondet e rindërtimit janë dhënë të plota. Për rikonstruksionin e shtëpisë, punimet i mori përsipër firma “Hasrama”.Sipas Samet Mucës, ai i ka kaluar ndërtuesit shumën prej 26 milionë lekësh të vjetra, por banesa nuk është përfunduar. Ndërtuesi, sipas tij, është zhdukur, ndërsa shtëpia ka mbetur në mes të punimeve. Qytetari shprehet, se nuk ka mundësi financiare, për ta përfunduar vetë banesën dhe situata rëndohet, për shkak se nëna e tij është e sëmurë.Nga ana tjetër, ndërtuesi deklaron, se ka ndihmuar familjen, por shpenzimet kanë qenë më të larta se fondi i dhënë dhe pret ende një pagesë shtesë. Sipas tij, në banesë kanë mbetur pa u përfunduar punimet e pllakave, gipsit dhe dyerve, ndërsa vlera e mbetur për t’u paguar, shkon rreth 3 deri në 3.6 milionë lekë të vjetra. Ai shprehet, se një pjesë e këtyre kostove lidhen me prishjen e banesës ekzistuese dhe ndërtimin e shtesës, ndërsa punimet mund të përfundojnë brenda rreth 10 ditësh. Ai nënvizon, se është firmë private dhe jo shtetërore dhe se çmimet e ndërtimit kanë qenë të larta, sidomos në periudhën pas tërmetit.



