Kryetarja e Komisionit të Medias, Fatjona Dhimitri, ka kundërshtuar paketën anti-shpifje të qeverisë, ashtu si edhe shumë gazetarë e analistë.
Në fillim të mbledhjes së djeshme të Komisionit, Dhimitri ka lexuar një deklaratë, ku ka thënë se paketa ligjore i jep kompetenca të zgjeruara Autoritet të Mediave Audivizive (AMA), që sipas saj, mund të mbyllë mediat online ose të vendosë gjoba të papërballueshme.
Pasi lexoi deklaratën, ajo u largua nga mbledhja, ndërsa iu bëri thirrje të gjithë deputetëve të bojkotojnë procesin për miratimin e këtyre dy projektligjeve, në mënyrë që të tërhiqet qeveria.
“U kërkoj deputetëve që të marrin parasysh pasojat e rënda që do të ketë miratimi i këtyre dy projektligjeve për lirinë e mediave dhe demokracinë shqiptare dhe ta bojkotojnë procesin duke e detyruar qeverinë të tërhiqet nga dy projektligjet. Prej këtij momenti i bashkohem protestës së gazetarëve dhe qytetarëve dhe kauzës së tyre të drejtë për mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe mediave”, ka deklaruar Dhimitri.
Deklaratë për mediat e Fatjona Dhimitrit, Kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
Në cilësinë e kryetares së Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, duke parë se mazhoranca në komisionin të cilin drejtoj dhe në Kuvendin e Shqipërisë nuk po jep asnjë shenjë tërheqje për dy projektligjet e hartuara nga qeveria të njohura si “paketa antishpifje”, por përkundrazi me arrogancën që e karakterizon rrezikon t’i shndërrojë ato në ligje me forcën e kartonave në parlament, ju drejtohem me anë të kësaj deklarate përmes së cilës shpreh qëndrimin tim lidhur me rrezikun që këto dy projektligje paraqesin për lirinë e fjalës dhe mediave.
Prej momentit që dy projektligjet kanë ardhur në komision, e shqetësuar për pasojat e rënda që do të kenë mbi lirinë e mediave dhe të ushtrimit të profesionit të gazetarit në Shqipëri jam përpjekur që përmes seancave dëgjimore në komision të thërras përfaqësuesit e organizatave mediatike, të medias dhe të botës universitare si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare për të marrë një mendim sa më të gjerë dhe të kualifikuar për projektligjet në diskutim.