Kryepolici Skënder Hita merr detyrën: Luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit

Skënder Hita betohet sot si drejtor i Policisë së Shtetit për një mandat 5-vjeçar, pas emërimit me vendim të qeverisë ditën e djeshme. Me propozim të ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, Skënder Hita zë tashmë vendin e Ilir Prodës pas largimit të tij nga detyra.

“Ripërtëritja e trupë së policisë përmes afrimit të rinjve mbi bazë meritokracie dhe mbi bazën e forcimit të integritetit. Uniforma e Policisë së Shtetit të mbahet vetëm nga ata që e meritojnë”, tha zv/kryeministrja Albana Koçiu.

Në fjalën e parë të mbajtur, Skënder Hita bëri me dije prioritetet për Policinë e Shtetit, duke vijuar nga rritja e sigurisë për qytetarët, tek lufta kundër korrupsionit nisur që nga radhët e bluve.

“Në respekt të veprës të brena të policisë, në shenjë nderimi dhe detyrimi, në emër të punonjësve të policisë së Shtetit, betohem për të mbajtur me nder flamurin e policisë së Shtetit. Pas një rrugëtimi 25 vite me dëshirën për tu shërbyer pa kompromis qytetarë, kam nderin të marr përgjegjësinë për këtë detyrë. Nuk e shoh si arritje personale, por si përgjegjësi të madhe. Falënderoj kryeministrin dhe qeverinë për besimin e dhënë.

I jap mirënjohës çdo efektivi që shërbejnë çdo ditë me përkushtim. Nderim për dëshmorët e polici dhe respekt për veteranët. Policia nuk është vetëm institucion që ofron shërbim, vendi ku qytetari gjen mbështetjen. Luftë pa kompromis kundër korrupsionit duke filluar nga radhët tona, rritja e sigurisë në shkolla, forcimi i rendit dhe siguritë, modernizimi i policisë, rritje e transparencës dhe përgjegjshmërisë, mbështetje dhe motivim për çdo punonjës, forcim i bashkëpunimit me partnerët. Po përgatitemi për Policinë e Shtetit të një vendi evropian”, tha Hita.

Vetëm 46 vjeç, Skënder Hita iu nënshtrua një konkursi mes 14 kandidatëve, të cilët kaluan në filtrin e Komisionit të Posaçëm në Ministrinë e Brendshme, në garën e hapur më 3 mars.

Hita ka shërbyer në polici nga veriu në jug, me karrierë në ngjitje në 10 vitet e fundit. Një prej detyrave më të rëndësishme ishte drejtimi i Policisë së Shkodrës në vitin 2021. Së fundmi, Skënder Hita drejtonte Fierin, qark i rëndësishëm me potencial krimi, por që vitin që lamë pas e mbylli me vetëm 2 vrasje, krim në familje.

Të Fundit