Në kuadër të planit operacional “Komani”, policia ka zhvilluar kontrolle për rritjen e sigurisë për qytetarët dhe turistët, si dhe për lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të kundërligjshme. Gjatë kontrollit, janë proceduar penalisht 5 shtetas, të cilët u kapën në flagrancë duke kryer aktivitete të paligjshme në kalatën dhe liqenin e Komanit.
Shtetasi me iniciale R. N. u kap duke transportuar vizitorë me varkë në liqenin e Komanit, pa regjistruar aktivitetin në organet tatimore. Po ashtu, shtetasit me iniciale L. M. dhe E. Q. po transportonin secili nga 50 vizitorë, pa u pajisur ata me kuponë tatimorë për shërbimin e ofruar.
Gjithashtu, shtetasit Z. D. dhe F. D. kishin okupuar një pronë publike dhe e kishin shndërruar në parkim automjetesh, kundrejt pagesës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”, “Moslëshimi i kuponit tatimor”, “Fshehja e të ardhurave”.