Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis njoftoi të mërkurën ndalimin e aksesit në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç duke nisur nga 1 janari 2027.
“Rregullorja do të hyjë në fuqi në verën e vitit 2026 dhe do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027”, thekson Mitsotakis në një video-mesazh.
Sipas tij, “Greqia do të jetë ndër vendet e para që do ta ndërmarrë këtë iniciativë”.
“Qëllimi ynë është ta shtyjmë BE-në në këtë drejtim”, tha Mitsotakis, i cili, duke iu drejtuar fëmijëve, thotë, “tani jam i sigurt se ata shumë më të vegjël do të zemërohen me mua. Nëse do të isha në moshën tuaj, ndoshta do të ndihesha njësoj, por roli ynë nuk është të jemi të këndshëm”.
“Por edhe nëse nuk jeni dakord, dua vetëm që ta mendoni dhe ta diskutoni me miqtë tuaj. Nëse diçka na bën të ndihemi të stresuar, më keq ose më pak mirë nga sa jemi në të vërtetë, atëherë ia vlen t’i vëmë një frenim. Qëllimi ynë nuk është t’ju distancojmë nga teknologjia, e cila mund të jetë një burim frymëzimi, dijeje dhe krijimi”, vazhdoi Mitsotakis.
Duke shpjeguar pse po merret masa, ai vëren se “dizajni varësie i aplikacioneve të caktuara, modeli i fitimit që bazohet në vëmendjen tuaj, në sa kohë kaloni para ekranit të celularit dhe ju privon nga pafajësia dhe liria juaj, duhet të ndalet diku”.
Së fundmi, duke iu drejtuar prindërve, kryeministri grek vuri në dukje: “Asnjë ligj nuk mund ta zëvendësojë praninë tuaj. Kjo politikë është thjesht një mjet për t’ju ndihmuar. Unë besoj sinqerisht se pas pak vitesh të gjithë do ta shohim atë si diçka pozitive dhe të vetëkuptueshme”.




