Kryebashkiaku i Vaut të Dejës i akuzuar për korrupsion zgjedhor, dëshmia në gjyq: S’na tha për kë të votonim! Na solli vetëm dritat

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisi të enjten dëgjimin e dëshmitarëve të thirrur nga SPAK në procesin penal ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i cili akuzohet për “korrupsion zgjedhor”.

Sot në gjyq ka vijuar me dëshminë ishte Kol Martini, i cili deklaroi se banorët kishin pasur prej kohësh probleme me energjinë elektrike dhe, pavarësisht ankesave, nuk kishin gjetur zgjidhje. Sipas tij, vetëm pasi iu drejtuan kryetarit të bashkisë, situata mori zgjidhje. “Ne nuk na ka mësuar Kristian Shkreli për kë të votonim. Ai na ka bërë atë nder që na ka sjellë dritat”, u shpreh dëshmitari në sallën e gjyqit.

Sakaq, dëshmitari Sajmir Zavani tha se kishte pasur një ankesë lidhur me rrjetin elektrik, ku disa shtylla ishin të dëmtuara dhe ishte e nevojshme ndërtimi i një linje të re. Ai sqaroi se ishte hartuar një projekt për përcaktimin e numrit dhe vendosjes së shtyllave, i cili ishte dërguar në drejtorinë rajonale në Tiranë. Sipas tij, ndërhyrja konsiderohej “remont” dhe jo investim, pasi ishte kryer nga vetë punonjësit e OSHEE-së. Zavani theksoi se ishte vënë në lëvizje pas ankesave të bëra në portalin e bashkëqeverisjes dhe se kishte kontaktuar kryetarin e bashkisë për të siguruar një fadromë për hapjen e gropave, pasi punonjësit nuk kishin mundësi t’i hapnin ato me krahë. “Kaq ka qenë e gjitha”, deklaroi ai.

Edmir Dedaj, punonjës pranë OSHEE-së në Shkodër, që mbulon zonat Pukë, Fushë-Arrëz dhe Vau i Dejës, dëshmoi se kishte marrë vazhdimisht ankesa nga banorët për problemet në Stajkë. Ai tha se kishte bërë kërkesa të njëpasnjëshme deri në sigurimin e bazës materiale dhe realizimin e ndërhyrjes në dy faza, por nuk mbante mend saktësisht kohën kur ishin kryer punimet. Dedaj shtoi se nuk kishte pasur kontakte të tjera jashtë procedurave zyrtare.

Ndërsa Aramand Zhuka, drejtor i Drejtorisë Rajonale të OSHEE Shkodër, deklaroi se ishte në dijeni të remontit të kryer në fshatin Stajkë. Sipas tij, rrjeti elektrik kishte qenë i amortizuar dhe nuk e përcillte siç duhet energjinë. Ai u shpreh se ishte informuar edhe nga kryetari i bashkisë për problematikën dhe se punonjësit kishin sjellë fotografi që tregonin gjendjen e linjës. Pas kësaj, sipas Zukës, ishin marrë masa për ndërhyrje në një segment prej rreth 1 kilometri në fazën e parë. Ai sqaroi se remondet kryhen nga vetë kompania, ndërsa investimet kërkojnë miratime nga institucione të tjera në Tiranë, duke theksuar se gjithçka është bërë me vendimmarrje të kompanisë.

Të Fundit