Kroacia ktheu 5.5 ton pjeshkë nga Shqipëria, reagon AKU: Niveli i lartë i nikelit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, AKU ka reaguar pas njoftimit të marrë nga sistemi europian për sigurinë ushqimore, RASFF, lidhur me një ngarkesë pjeshkësh me origjinë nga Shqipëria që u refuzua në kufi nga autoritetet kroate.

Sipas njoftimit të RASFF, bërë më 22 gusht 2025, Kroacia raportoi për një “prani të nikelit mbi normën e lejuar” në një sasi pjeshkësh me origjinë shqiptare. Ngarkesa është ndaluar në kufi dhe nuk është lejuar të hyjë në tregun kroat.

“Më datë 22.08.2025, Shqipëria është njoftuar nga Sistemi RASFF, në kategorinë Njoftim për refuzim në kufi:

‘Nikel në pjeshkë me origjinë nga Shqipëria’, të njoftuar nga Kroacia”, thuhet në njoftimin zyrtar të AKU-së.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, AKU ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme për hetimin e rastit. Struktura të Drejtorisë Rajonale të AKU Fier kanë kryer një inspektim në Operatorin e Biznesit Ushqimor (OBU) eksportues, ku u konstatua se nuk kishte më gjendje produkti në magazina.

“Subjekti disponon sistem gjurmueshmërie, ku u verifikua se produkti është dërguar i gjithi për eksport dhe nuk është shpërndarë në tregun vendas”, thuhet më tej në reagimin e AKU.

Ngarkesa prej 5.5 ton pjeshkë ishte dërguar drejt Kroacisë, ku pas analizave laboratorike rezultoi me përmbajtje nikeli jashtë normave të lejuara. Si pasojë, frutat janë asgjësuar nga autoritetet përkatëse.

Rasti është referuar gjithashtu tek Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve AKVMB, për masa të mëtejshme, ndërkohë që AKU ka përditësuar sistemin RASFF me informacionin mbi masat e marra në vijim të këtij incidenti.

Të Fundit