Zv. Kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, tha pas mbledhjes së qeverisë se si do të përballohet kriza energjetike, që sipas tij ka prekur të gjithë botën.
Ahmetaj tha se brenda javës kryeministri do të dalë dhe do të shpalosë planin për mbrojtjen e sipërmarrjes së vogël dhe familjarëve dhe shtoi se ata janë të angazhuar që kjo shtresë e shoqërisë të mos preket nga kriza.
“Situata energjetike në vend është në krizën globale. Ne kemi zgjedhur 30 vite më parë ku të jemi në një ekonomi tregu ku ajo e hapur të jetë e lidhur globalisht, në mallra dhe shërbime. Sidomos për mallra të koutuara për bursa dhe nevoja për import siç është energjia elektrike. Ju e keni dëgjuar dhe lexuar se çfarë po ndodh në tregun ndërkombëtar të energjisë elektrike që përfshin që nga shtimi i kërkesës për energji për shkak të ringritjes ekonomike në të gjithë botën, për shkak të sjelljes së Rusisë që është brenda karakterit gjeopolitik të çmimit të gazit. Një faktor tjetër, është dekomisionimi i centraleve të karbonit në Gjermani dhe Spanjë.