Kriset marrëdhënia, presidenti i Ukrainës kritika të forta Donald Trump

Duket se marrëdhënia mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky po shkon drejt krisjes.

Tensionimi i marrëdhënieve erdhi pas deklaratës së Trump të martën, ku fajësoi Ukrainën për nisjen e luftës.

Zelensky në kundërpërgjigje këtë të mërkurë, kritikoi presidentin Trump duke thënë se ai është “i bllokuar në një flluskë dezinformimi”.

Deklarata iu referua pretendimeve të Trump se vlerësimi i miratimit të presidentit ukrainas është vetëm 4%. Zelenskyy tha se ky pretendim ishte një dezinformatë që vjen nga Rusia dhe se Ukraina ka prova që tregojnë se shifrat janë diskutuar në takimin mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë.

“Ne e pamë këtë dezinformim. E kuptojmë se vjen nga Rusia. Ne e kuptojmë dhe kemi prova që ato shifra janë diskutuar midis SHBA-së dhe Rusisë,” tha Zelenskyy.

Komentet e Trump erdhën menjëherë pas takimit të delegacionit amerikan me zyrtarë të lartë rusë në Arabinë Saudite. Trump gjithashtu fajësoi Ukrainën për shpërthimin e luftës.

Zelenskyy vuri në dukje se propaganda ruse ka promovuar narrativën se ai është një lider i paligjshëm, duke pretenduar se mandati i tij i parë presidencial duhej të kishte përfunduar në maj të vitit 2024. Ai theksoi se ky pretendim shpërfill kushtetutën ukrainase, e cila ndalon mbajtjen e zgjedhjeve gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, e cila ka hyrë në fuqi që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Përkundër kritikave, Zelenskyy shprehu respekt për Trumpin dhe popullin amerikan, por shtoi, “mjerë ata që jetojnë në këtë hapësirë dezinformimi”. Ai gjithashtu tregoi dhe sondazhet e fundit ku tregohej një mbështetje 57% për të.

Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zhvilluan të martën raundin e parë të negociatave për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë.

Në takim morën pjesë vetëm zyrtarë amerikanë dhe rusë, ndërkohë që evropianët janë përjashtuar nga bisedimet. Në takim mungonin edhe përfaqësues nga Ukraina.

Si kundërpërgjigje ndaj lënies jashtë në negociata, Evropa ka vendosur këtë të mërkurë një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë.

Sekretari i Shtetit i Trump, Marco Rubio, sugjeron që evropianët të thirren në tryezën e bisedimeve për të diskutuar lehtësimin e sanksioneve ndaj Kremlinit.

Nga ana tjetër, Moska refuzon kategorikisht përfshirjen e Evropës, pasi sipas tyre mund të hidhnin ide dinake që mund të çojnë në dështimin e negociatave.

Një nga elementët kyç që u diskutua në Riad ishte mbajtja e zgjedhjeve të reja në Ukrainë, me supozimin se presidenti aktual, Volodymyr Zelenskyy, ka gjasa të ulëta për t’u rizgjedhur.

Moska beson se një kandidat tjetër do të ishte më fleksibël dhe më i gatshëm për negociata.

Plani i diskutuar përfshin armëpushim në Ukrainë, zgjedhje të reja dhe më pas firmosjen e një marrëveshjeje paqeje.

Të Fundit