Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i kërkoi Gjykatës së Posaçme të urdhërojë kryerjen e një akt ekspertimi të ri ekonomiko-financiar për ngjarjen e rëndë të Gërdecit. Përmes avokatëve të tij Mediu pretendoi se akt-ekspertimi i paraqitur si provë nga SPAK ka probleme në formë dhe në përmbajtje. Sipas avokatëve, vendimi për akt-ekspertimin nuk i është bërë me dije Mediut gjatë hetimit paraprak dhe ekspertët janë zgjedhur në mënyrë të njëanshme, në kushte të papajtueshmërisë ligjore.
Po sipas mbrojtësve, 4 nga 5 ekspertët kanë qenë nëpunës shtetërorë dhe pa licensimet përkatëse, ndërsa i pesti nuk kishte njohuri financiare. Tjetër problem i konstatuar nga avokatët, ishte fakti që ekspertët nuk janë njohur me akte të rëndësishme të dosjes dhe se nuk kanë marrë kompetenca të gjykatës e prokurorisë.
Nga ana tjetër, siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, ka pasur përplasje në sallën e gjyqit mes familjarëve të viktimave dhe Mediut.
Ndërkohë familjarët e viktimave janë shprehur se “fajin e kanë prokurorët që nuk ngrenë akuza për vrasje”, duke e cilësuar Mediun si “kriminel” dhe duke i thënë “Turp të të vijë!”
Ish-ministri ka shtuar se ekspertët janë të paligjshëm duke e konsideruar një proces terësisht të pabazë. Në përgjigjie, prokurorët kanë refuzuar kërkesën për akt ekspertim të ri.