Një krim i rëndë në familje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Konispol të Sarandës. Burri pas një grindjeje të çastit ka masakruar më sëpatë për vdekje bashkëshorten e tij.
Por pak çaste më pas, gjatë konfliktit edhe me të birin, njoftohet se ky i fundit e shtyu nga shkallët, teksa i moshuari gjeti vdekjen minuta më pas.
Ngjarja e rëndë sipas njoftimit paraprak të policisë vendore, ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit të sotëm (6 Gusht). Policia sqaroi se autori-viktimë Hysen Islamaj ishte 69 vjeç, kurse gruaja e tij që humbi jetën, Shano Islamaj, 66 vjeçe. Policia njofton se ka nisur hetimet e menjëhershme dhe po kryen procedurat paraprake.
Gjithashtu u bë edhe prangosja e autorit të dyshuar, djalit të viktimave, Klementin Islamaj, 40 vjeç, teksa po verifikohen motivet e krimit të rëndë.
“Rreth orës 07:00, në fshatin Shalës, Konispol, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, shtetasi H. I., 69 vjeç, ka vrarë me mjet prerës (dyshohet sëpatë) bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. I., 66 vjeçe. Më pas, shtetasi H. I. dyshohet se është konfliktuar me djalin e tij, shtetasin K. I., rreth 40 vjeç, i cili e ka shtyrë shtetasin H. I. nga shkallët e banesës. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi H. I. ka humbur jetën në vendngjarje”, njoftoi policia.