Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Smart Bank Phishing”, që kishte në shënjestër një rast të mashtrimit kompjuterik me anë të rrjeteve sociale.
Në kuadër të operacionit, të zhvilluar nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në bashkëpunim me Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe nën koordinimin e Prokurorisë së Tiranës, u arrestua 21-vjeçari O. Gj., banues në Laç, ndërsa u proceduan në gjendje të lirë dy të rinj të tjerë, D. G., 23 vjeç, dhe E. Gj., 21 vjeç.
Sipas hetimeve, i arrestuari kishte krijuar një profil të rremë në rrjete sociale, duke përdorur logon dhe emrin e Bankës Kombëtare Tregtare, BKT. Përmes këtij profili mashtrues, ai kontaktonte qytetarë, duke iu ofruar kredi të rreme bankare. Nëpërmjet aksesit të paautorizuar në llogaritë e tyre, 21-vjeçari transferonte apo boshatiste fondet e viktimave.
Në rastet kur llogaritë nuk kishin para, ai i bindte qytetarët të depozitonin shuma nga 750 deri në 1 500 euro, me premtimin e rremë të një kredie prej 15 mijë eurosh.
Falë veprimeve të koordinuara të ekspertëve të Krimit Kibernetik, u arrit ndalimi i autorit kryesor dhe ndërprerja e aktivitetit të paligjshëm.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.




