Kreu i SPAK: Nuk jemi përfshirë në hartimin e draftit të Kodit të Ri Penal

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka zhvilluar këtë të enjte një takim informal jashtë kamerave me gazetarët që ndjekin çështjet e drejtësisë dhe mbulojnë institucionin e SPAK. Gjatë bashkëbisedimit, Dumani është ndalur edhe te debati mbi draftin e ri të Kodit Penal, i prezantuar nga Ministria e Drejtësisë.

Ai sqaroi se SPAK nuk është përfshirë në hartimin e draftit dhe se ende nuk e ka marrë zyrtarisht dokumentin për shqyrtim.

“Është një draft. Ne nuk e kemi marrë zyrtarisht dhe nuk jemi përfshirë në hartimin e tij. Kur të na vijë, do ta analizojmë dhe do të mbajmë një qëndrim,” tha Dumani.

Duke iu referuar debatit të hapur publik, ai theksoi se një nismë e tillë ka rëndësi të madhe për shtetin e së drejtës dhe është normale që të shoqërohet me diskutime.

“Debati i parë duhej të ishte: a është i nevojshëm një Kod i ri apo duhej të punohej mbi Kodin aktual? Unë personalisht mendoj se ka nevojë për ndryshime. Për shembull, neni për narkotikët duhet të riformulohet, duke u ndarë sipas llojit dhe sasisë së drogës,” u shpreh kreu i SPAK.

Dumani shtoi se SPAK do të japë opinionet e tij përfundimtare në momentin që drafti t’i përcillet zyrtarisht për shqyrtim.

Të Fundit