Kreu i Gjykatës së Lartë: Reforma në drejtësi shkëputi lidhjet me politikën

Në kuadër të konferencës me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, e cila zhvillohet në tre panele që përqendrohen te reforma në drejtësi, procesi i vettingut, reforma zgjedhore dhe drejtësia kushtetuese, fjalën e mori Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

Sadushi vuri theksin tek fakti se reforma në drejtësi shkëputi lidhjet me politikën, megjithatë, sistemi drejtues vazhdon të përballet me sfida serioze, përfshirë mungesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ai shtoi se, megjithëse reforma u konceptua mirë, çdo ndryshim varet nga mënyra e zbatimit dhe nga njerëzit që e mbajnë gjallë këtë proces.

Pas nëntë vjetësh nga miratimi i reformës, sistemi gjyqësor vazhdon të përballet me ngarkesë të lartë çështjesh, vonesa në dhënien e vendimeve dhe mungesa të theksuara në trupën gjyqësore.

Sadushi theksoi se “Reforma në drejtësi nuk ka përfunduar me ngritjen e institucioneve të reja”, duke e cilësuar këtë si vetëm fillimin e një transformimi të gjatë, i cili kërkon një periudhë konsolidimi të institucioneve të drejtësisë shqiptare.

Në lidhje me procesin e vettingut, ai nënvizoi se gjatë këtij procesi “u krijua perceptimi i standardeve të dyfishta,” që duhet të përmirësohet për të forcuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Sadushi theksoi se, megjithë rëndësinë e tij historike për pastrimin moral të sistemit, vettingu nuk ka qenë i imunizuar ndaj problemeve, si vendimmarrjet e pabarabarta për çështje të ngjashme, mungesa e koherencës në interpretim dhe ndikimi i perceptimeve publike, të cilat kanë krijuar herë pas here ndjesinë e standardeve të dyfishta.

Ai theksoi se kjo nuk zbehet vlera e procesit, por evidenton nevojën për një kulturë përgjegjësie dhe vetërregullimi në drejtësi.

Në përmbyllje, Sadushi theksoi se për të përmbushur misionin e reformës janë të nevojshëm profesionistë të pavarur dhe të përkushtuar, duke shtuar se vettingu ishte një proces po aq moral sa dhe institucional.

Të Fundit