Ka nisur protesta e serbëve në fshatin Rudar të komunës së Zveçanit kundër “kërcënimeve” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Përveç flamujve serbë dhe pankartave me mbishkrime të ndryshme, bie në sy njëra parulla: “Kurti, Kosova nuk është gjyshit tënd, është e gjyshërve tanë.
Në mesin e të pranishmëve ka edhe prej atyre që punojnë në institucionet e Kosovës, kryesisht në ato të vetëqeverisjes lokale. Disa nga qytetarët e mbledhur në Rudarë, me të cilët ka biseduar REL-i, thonë se kanë ardhur për të luftuar për të drejtat e tyre, por ka edhe nga ta që deklarojnë se janë detyruar të vijnë, sipas REL.
Protesta, që u cilësua si “më e madhja ndonjëherë”, u organizua pas thirrjes së të ashtuquajturit Shtab i krizave, i cili përbëhet nga punonjës të institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe përfaqësues të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar.