Këshilli i Ministrave vendosi në janar të këtij viti krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit.
Misioni i DPAK-së është të sigurojë parandalimin e goditjen e korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore, entet publike, si dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror.
Por, deri më tani a ka arritur Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit të evidentojë rastet korruptive brenda kupolës në administratën shtetërore?
Në buletinin elektronik të përmuajshëm, i cili është dhe mjeti i gjerë i komunikimit i cili synon që të informojë nëpërmjet pasqyrimit të një përmbledhje të aktiviteteve kryesore të zhvilluara nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit në fushën antikorrupsion, nuk është arritur të veçohet asnjë rast korrupsioni.
Konkretisht në buletinin e muajit gusht 2024 përpos raporteve, hartimeve të planeve se çfarë do të bëhet dhe reklamimit të punës, përgjatë këtij muaji nuk është arritur të evidentohet dhe parandalohet asnjë rast korrupsioni brenda institucioneve dhe administratës shtetërore.
Buletini mujor në fushën e Antikorrupsionit për muajin gusht:
Mbyllet procesi i konsultimit publik të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, 2024-2030
1-31.08.2024: Në datë 31 gusht 2024 është mbyllur procesi i konsultimit publik të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, 2024-2030, në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike.
Paketa e plotë e draftit të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, 2024 – 2030, përfshirë Planin e Veprimit dhe Pasaportën e Treguesve ka qëndruar e hapur për komente dhe kontribute nga palët e interesuara prej datës 22 korrik 2024, dhe në dispozicion të të cilit edhe adresa e kontaktit përgjegjës për marrjen e tyre.
Në të njëjtën periudhën kohe drafti i Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, 2024 – 2030, ka qenë i hapur për konsultim edhe me grupet e interesit, administratë publike nivel qendror dhe vendor, organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues të sektorit privat (dhoma biznesi dhe shoqata) të kontaktuar direkt nëpërmjet emailit.
Komentet dhe kontributet e marra gjatë kësaj faze të procesit të hartimit kanë konsistuar kryesisht në objektiva lidhur me rritja e bashkëpunimit me sektorin privat, forcimi i kornizës së sinjalizuesve për zbulimin e hershëm të korrupsionit, përfshirja e angazhimit të grave në luftën kundër korrupsionit, faktorët e riskut të fushën e prokurimit publik, si edhe roli dhe rëndësia e shërbimet elektronike për qytetarët.
Në përfundim të procesit të konsultimit publik në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike, draft strategjia arriti një numër prej 716 shikimesh gjithsej.
Draft Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, 2024 – 2030, Plani i Veprimit dhe Pasaporta e Treguesve është përmbyllur pas një pune 18-mujore të grupit të punës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit, dhe nën asistencën direkte të ekspertëve të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, projekti EU4GG.
Draft Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, 2024 – 2030, pritet të miratohet së shpejti nga Këshilli i Ministrave.
Shqipëria përgatit raportin për përmbushjen e rekomandimeve të Raundit V të GRECO-s
1-30.08.2024: Sekretariati teknik pranë Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, i cili është njëkohësisht edhe kreu i delegacionit të Qeverisë Shqiptare pranë GRECO, ka përgatitur raportin e vendit për 19 rekomandimet e mbetura për zbatim në kuadër të Raundit të V të Vlerësimit: Parandalimi i korrupsionit dhe promovimi i integritetit në qeverinë qendrore (funksionet e larta ekzekutive) dhe agjencitë e zbatimit të ligjit.
Raporti përmban të dhëna shpjeguese, statistika të besueshme dhe evidenca që provojnë dhe dëshmojnë për progresin e autoriteteve publike shqiptare, në përgjigje të rekomandimeve të lëna për zbatim nga GRECO. Janë gjithsej 19, nga të cilat 7 prej tyre i pjesës së I: Parandalimi i korrupsionit dhe promovimi i integritetit në qeverinë qendrore (në funksionet e larta ekzekutive) dhe 12 të tjera pjesës së II: Parandalimi i korrupsionit dhe promovimi i integritetit në agjencitë e zbatimit të ligjit.
Procesi i zbatimit të rekomandimeve është ndjekur nga një grup pune që ka analizuar me kujdes informacionet e marra, si përmenden: Ministritë kanë rishikuar planet e tyre të integritetit, duke hartuar masa konkrete për të adresuar risqet dhe për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë institucionale, janë hartuar manuale për zbatimin e kuadrit ligjor për integritetin për funksionarët politikë, janë përmirësuar mekanizmat e konsultimit publik të akteve ligjore dhe nënligjore. Ligji i ri “Për Policinë e Shtetit” i miratuar në korrik 2024 adreson një pjesë të konsiderueshme të rekomandimeve të pjesës së II, duke rregulluar procedura si sponsorizimet private dhe donacionet, si dhe kufizimet e stafit policor pas largimit nga detyra dhe qëndrueshmërinë e drejtuesve të lartë të policisë.
Hartimi i një manuali të dedikuar për etikën në polici si dhe hartimi i analizave të riskut për korrupsion në polici mund të përmenden gjithashtu si dy akte të tjera në plotësim të rekomandimeve të GRECO. Raporti i vendit pritet të dorëzohet pranë Sekretariatit teknik të GRECO së shpejti për t’i hapur udhë seancës së vlerësimit të Shqipërisë në vitin e ardhshëm dhe me qëllim mbylljen e Raundit V.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin harton Planin e Integritetit , 2024-2025
1 – 30.08.2024: Instrumentet e integritetit në institucionet e qeverisjes qendrore po hartohen dhe miratohen edhe për kabinetet e ministrave të shtetit, si pjesë përbërëse e kabinetit qeveritar. Kabineti i Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin (MAPA) si portofoli më i ri i shtuar pranë kabinetit qeveritar në janar 2024, i është bashkuar institucioneve të qeverisjes qendrore (ministrive) duke kryer vlerësimin e riskut të integritetit dhe hartuar dokumentin Plan Integriteti, 2024-2025.
Ministrit i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin koordinon zhvillimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të politikave kombëtare, si dhe hartimin e ligjeve dhe akteve nënligjore për parandalimin dhe luftën gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit për avancimin në ndërtimin e një administrate të standardeve evropiane që funksionon mbi baza integriteti, etike dhe meritokracie. Përmes miratimit të Planit të Integritetit, kabineti i MAPA synon rritjen e performancës institucionale përmes ndikimit të drejtpërdrejtë në ushtrimin me integritet dhe profesionalizëm të funksioneve dhe detyrave shtetërore të zyrtarëve të këtij institucioni.
Plani i Integritetit, 2024-2025, konsiston në tre objektivë që i referohen: (1) kuadrit rregullator për integritetin dhe etikën; (2) menaxhimit të burimeve njerëzore pranë kabinetit, dhe (3) transparencës dhe komunikimit të veprimtarisë së MAPA-s. Plani i Integritetit, 2024- 2025, përmban 13 aktivitete me qëllim adresimin e risqeve të adresuara dhe për të cilat zbatimi pritet të jetë prioritet i anëtarëve të kabinetit të MAPA-s, së bashku me struktura teknike të antikorrupsionit, si Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit. Plani i Integritetit pritet të miratohet brenda muajit shtator 2024, me urdhër të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Plani i Integritetit të Ministrisë së Drejtësisë, konfirmon zhvillim të masave të integritetit për Janar-Qershor 2024
1-30.08.2024: Drejtoria e Programeve dhe Projekteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Antikorrupsionit, në cilësinë e strukturës përgjegjëse, ka kryer monitorimin e zbatimit të Planit të Integritetit të Ministrisë së Drejtësisë, për periudhën Janar-Qershor 2024. Procesi ka filluar me kërkesën drejtuar drejtorive teknike të Ministrisë së Drejtësisë për të raportuar mbi zbatueshmerinë e tyre sipas termave dhe afateve të përcaktuara për masat e Plani i Integritetit dhe në zbatim të metodologjisë së monitorimit.
Nga monitorimi i kryer për këtë periudhë, nga 12 masa e 24 aktivitete për t’u kryer rezulton se: janë zbatuar plotësisht 11 masa e pjesërisht 1 masë dhe janë kryer 22 aktivitete. Nga këto 5 masa e 13 aktivitetet kanë qenë me afat fundor gjashtëmujorin e parë 2024, për të cilat janë zbatuar plotësisht 4 masa, pjesërisht 1 masë dhe kryer 11 aktivitete.
Nga zbatimi i deritanishëm veçojmë: trajnime për “Hartim Legjislativ” dhe “Hyrje në parandalimin e korrupsionit”; plotësim i vakancave të MD-së dhe transparencë e plotë institucionale për publikun. Raporti pritet të miratohet nga Ministri i Drejtësisë dhe për tu publikuar dhe aksesuar nga të interesuarit në faqen e internetit të Ministrisë së Drejtësisë.
Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit konfirmohet një entitet juridik, publik dhe buxhetor më vete:
1.08.2024: Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të vendimit, Nr.436, datë 26.6.2024, “Krijimi, organizimi dhe funksionimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit“, Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit – DPAK, fillon të funksionojë tashmë si një entitet publik më vete. Njësia qendrore e politikë-bërjes kundër korrupsionit dhe njësia ku do të qendërzohen ndërhyrja e masave të hetimit dhe verifikimit administrativ për raste korrupsioni në administratën publike është ngritur, organizuar për të funksionuar si një njësi administrative me strukturën e saj teknike dhe të shërbimeve mbështetëse.
Kjo njësi ka përgjegjësi funksionale të organizojë punën për: koordinimin e përcaktimin e instrumenteve të domosdoshme për implementimin e politikave të fushës kundër korrupsionit; zhvillimin e projekteve e të programeve në fushën kundër korrupsionit; rritjen e ndërgjegjësimit për zbatimin e politikave te fushës kundër korrupsionit; kryerjen e hetimit administrativ në kuadër të denoncimeve ose ankesave për praktika abuzive, korruptive apo arbitrare, për zbatimin e ligjshmërisë. Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit ka një staf teknik prej 27 personash, nëpunës civilë nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm, që pritet të emërohet nga Kryeministri.
Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit ofron ekspertizë teknike në Komisionin Parlamentar për Antikorrupsionin
1-30.08.2024: Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian (në vijim KPA) i ngritur me vendim të Kuvendit të Shqipërisë nr.50/2024, ka filluar aktivitetin kërkimor, hulumtues dhe programues të masave për ndërhyrje ligjore, institucionale, burimesh njerëzore.
Komisioni Parlamentar për Antikorrupsionin pritet të hartojë një dokument analize të thelluar programesh, mbështetur në tre shtylla: (I) Shteti i së Drejtës; (II) Lufta kundër Korrupsionit; (III) Mirëqeverisja.
Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit dhe stafi këshillues i Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin janë atashuar pranë grupeve të punës për komponentët përbërës të analizës së KPA, për përgatitjen e analizave mbështetur tek gjetje dhe analiza të raporteve të vlerësimit të brendshëm institucional, organizatave të shoqërisë civile brenda vendit dhe ato të dhëna nga organizata ndërkombëtare si përkatësisht: Komisioni Evropian, GRECO, Departamenti Amerikan i Shtetit.
Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit po ofron një lehtësim të analizës për komponentë lidhur me sektorët me risk me të lartë ndaj korrupsionit të qeverisjes qendrore dhe vendore si dhe ndërtimi i një shoqërie me integritet.
Dokumenti i analizës për përgatitje do të ketë gjithashtu disa teza për diskutim publik, në mbrojtje të të cilave do të jetë stafi teknik i Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit.