Drejtoria e Përgjithshme Detare ka bërë një njoftim të rëndësishëm në lidhje me COVID-19 dhe mjetet e transportit detar nga Shqipëria dhe Italia.
“Në vijim të situatës së krijuar në Itali për shkak të përhapjes së COVID-19, masave të marra nga qeveria italiane për vendosjen e karantinës në veri të Italisë, si dhe masave parandaluese të përhapjes së virusit në vendin tonë, në zbatim të urdhrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ju njoftojmë se: Ndalohen të gjitha lëvizjet me mjetet e transportit detar nga të gjitha portet drejt Italisë së Veriut; Ndalohen të gjithë lëvizjet me mjetet e transportit detar të pasagjerëve dhe/ose mjeteve në Linjën Durrës-Ankona- Durrës dhe Durrës-Trieste-Durrës. Të gjitha mjetet e transportit detar që kanë destiancion Portet e Hapura të Republikës së Shqipërisë nuk do ju lejohet zbrita e ekuipazhit nga anija në portet përkatëse.”
Drejtoria e Përgjithshme Detare ka njoftuar menjëherë Kapiteneritë e Porteve, Portet e Republikës së Shqipërisë dhe Agjensitë Detare për zbatimin e këtij kufizimi për mjetet e transportit detar nga portet e sipër përmendura, deri në një njoftim të dytë.