Korça përfshihet nga dëbora, punohet për hapjen e rrugëve dytësore e lidhëse

Qarku i Korçës, është përfshirë gjatë ditës së djeshme dhe natës nga reshje dëbore dhe erë në të gjithë territorin. Mësohet se trashësia e dëborës ka arritur nga 10 deri 25 cm në zonat malore.

Nisur nga situata e krijuar, subjektet kontraktore kanë qenë në gatishmëri duke kriposur dhe mirëmbajtur akset kryesore nacionale e turistike, për rrjedhojë është mundësuar qarkullimi normal dhe pa probleme në këto akse.

Megjithëse nuk raportohen problematika, nga ana e bashkive vazhdon puna për hapjen e rrugëve dytësore e lidhëse dhe të shesheve në qendrat e qyteteve.

Gjithashtu, si rezultat e erës ka ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike në Njësinë Administrative Udënisht e Buçimas, Bashkia Pogradec, fshati Orman-Çiflig, Njësia Administrative Bulgarec dhe fshati Dardhë, në Njësinë Admininstrative Mollaj, Bashkia Korçë, si dhe në fshatrat Dolenac, Mjaltas, Besmirë të njësisë Administrative Gorë, Bashkia Maliq.

Pa energji elektrike janë edhe 12 fshatrat e Njësisë Administrative Proptisht të cilët marrin energji elektrike nga Agjencia Elektrike Përrenjas.

Grupet e punës ndodhen në terren me qëllim riparimin e defekteve. Institucioni i Prefektit dhe strukturat e EC janë duke e monitoruar situatën.

Të Fundit