Ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali ka deklaruar se Kongresi i Partisë Socialiste nxjerr në pah simptomat e sëmundjeve të qeverisjes së gjatë ndërsa theksoi se forca politike ku ajo bën pjesë shkon drejt triumfit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Duke folur në Kongresin e Partisë Socialiste, Spiropali tha se mazhoranca socialiste ka përballë një opozitë që sipas saj është për “faqe të zezë”.
Për këtë arsye, ajo tha se Partia Socialiste e ka garën me veten dhe Kongresi sipas saj shërben për të dhënë gjykimin më të mirë ndaj ekipit të kësaj force politike.
Si asnjë forcë tjetër politike, kemi krijuar pakënaqësi ndaj vetes si një normë politike sepse gara jonë nuk është me ata që kemi përballë që janë për faqe të zezë, por me pritshmëritë e publikut dhe nevojat absolute për më shumë ritëm, frymë dhe energji në raport me qytetarin.
Fitimtari si rregull nuk gjykohet. Triumfi ynë i radhë në zgjedhjet e ardhshme nuk jep arsye që ekipi të gjykohet por për këtë arsye ne duhet të bëjmë të kundërtën për të dalluar dhe ndërhyrë aty te sëmundjet e ardhura nga qeverisja e gjatë dhe ku shfaqen simptomat e para.
Ky kongres që është opozitë e vetvetes është një mundësi e artë për të gjykuar veten”, u shpreh Spiropali.