Konflikti me shoferin e kamionit, reagon Bledion Nallbati: Jam njeri para se të jem politikan

Kandidati i PD për deputet, Bledion Nallbati ka reaguar pas incidentit ku u përfshi bashkë me vëllain e tij mbrëmjen e të shtunës.

Nallbati thotë se pamjet e publikuar që tregojnë konfliktin mes tij, vëllait Alti Nallbati dhe një shoferi kamioni, nuk janë të plota dhe nuk tregojnë thelbin e ngjarjes.

Kandidati demokrat ka sqaruar rrethnat e ngjarjes, ku tha se ka tentuar disa herë që të shmangë përplasjen, por emocionet dhe sjellja e drejtuesit të kamionit bënë të vetën.

Ai ka ftuar Prokurorinë e Posaçme që të marrë pamjet e plota filmike dhe për të parë çfarë ka ndodhur në mënyrë të qartë.

“Keni parë video të pjesshme, jo të plotë. S’është e vërtetë që unë apo vëllai i kemi prerë rrugën kamionit. Po udhëtonim nga Kapshtica në qytet, në rrethrrotullim është hapur një gropë që këta pushtetarë që keqinformojnë ngjarjen, nuk e riparojnë. Mjeti im uli shpejtësinë ndërsa kamioni ishte mbrapa me shpejtësi dhe mund të pësonim aksident. Në këto kushte kemi ndaluar dhe ka dalë vëllai im që ishte shofer e pas tij unë. Kam tentuar shumë herë ta shmang këtë konflikt edhe pse isha në emocionet e asaj përplasje të mundshme të rrezikshme. Edhe shoferi padiskutim ka patur një reagim jo të duhur duke sharë mua e vëllain tim. Emocioni prevalon ndonjëherë mbi arsyen, por jam njeri. Nuk i përkas rracës së njerëzve si Niko Peleshi e të tjerë që janë marrë me këtë çështje. Këta nuk cënohen në dinjitetin e vet e të familjes, mjafton karrigia e pushtetit që të vjedhin paratë e qytetarëve. Ftoj SPAK të marrë pamjet e tjera filmike për të parë çka ndodhur për të qenë të qartë.

Pranoj me përgjegjësi të plotë që duhet të qëndroja me maturi, mbi këto lloj provokime, megjithatë jam njeri para se të jem politikan.

Dënojmë çdo lloj forme dhune verbale e fizike, pavarësisht se na përfshiu incidenti pa dëshirën tonë.

Telefonuam policinë e komisariatit për të sqaruar një ngjarje që mund të kishte patur pasoja por edhe për konfiktin. Policia në vend ta qartësonte situatën, edhe pse vëllai im dhe shoferi u shoqëruan, deklaruan që ishte konflikt i momentit, keqkuptim, firmosën deklaratat që skishin asnjë problem me njëri tjetrin. Policia me urdhër personal të Niko Peleshit, që ka komunikuar me drejtuesit e policisë të qarkut të Korçës. Për çfarë komunikoi Peleshi me drejtorin e Policisë?

Cila ishte arsyeja që kjo ngjarje u transferuar me dhunë në komisariatin e Korçës e me prezencën e vetë drejtorit të policisë u ngrit një akuzë e falsifikuar?

Në pamjet filmike, edhe pse mjetet ndaluan, vepra penale është kur largohesh nga vendi ngjarjes, si mund të largohej mjeti kur ishte një aksident i mundshëm, dhe ne telefonuam policinë.

Mjetet e tjera vazhdonin të kalonin. Të treja akuzat nuk qëndrojnë.

Kam informacion që duhet ta verifikoni ju dhe ftoj e Spak, dje drejtori i policisë është thirrur dhe ka pezulluar shefin e komisariatit dhe shefin e krimeve”, thotë Nallbati.

Të Fundit