Në Tiranë po zhvillohet dita e dytë e Konferencës së Ambasadorëve “Diplo 2025” me temën “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”.
Ambasadorë shqiptarë të akredituar nëpër botë, si dhe ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, po diskutojnë për integrimin evropian, diplomacinë ekonomike dhe sigurinë rajonale e globale.
Gjatë fjalës së saj në këtë aktivitet, zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se Shqipëria ndodhet në një moment historik, shumë pranë realizimit të ëndrrës së madhe të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Sot ndodhemi në një moment të rëndësishëm historik për vendin. Shqipëria, e ulur prej kohësh në tryezën e negociatave, është vetëm një hap larg nga ëndrra e saj e madhe, që tashmë nuk mund të quhet më ëndërr. Bëhet fjalë për një realitet të prekshëm, dhe çdo ditë e më shumë dëgjojmë nga funksionarë të lartë të BE-së se data e anëtarësimit po afron. Të gjithë duhet të angazhohemi për të përmbushur kërkesat, që përfshijnë diplomacinë dhe rritjen e kapaciteteve në burimet e rinovueshme,” tha Balluku.
Ajo shtoi se Shqipëria ka një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese, ndërsa politikat transparente kanë sjellë kompani të mëdha në vend. Projektet e mëdha infrastrukturore, tha Balluku, janë jo vetëm investime për ekonominë shqiptare, por edhe për ndërlidhjen e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kontekst, ajo përmendi Portin e Porto Romanos, që pritet të bëhet porti më i madh në rajon, duke shërbyer edhe qytete si Prishtina dhe Shkupi dhe duke u kthyer në një nyje të rëndësishme rajonale.
Balluku njoftoi gjithashtu foli për porjektin hekurudhor prej 40 kilometrash, që lidh Tiranën me Aeroportin e Rinasit dhe më pas me Durrësin.
Balluku tha se ky projekt është i pari i këtij lloji dhe shënon një hap të rëndësishëm strategjik, duke përmirësuar ndërlidhjen e kryeqytetit me portin dhe aeroportin.
“Ky është një zhvillim që shënon fillimin e rivitalizimit të hekurudhës shqiptare. Ky investim mund të konsiderohet si ‘dallëndyshja e parë’ që e bën konkrete strategjinë tonë për modernizimin e transportit hekurudhor në vend,” tha ministrja.