Në një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin Edi Rama, Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Olivér Várhelyi tha se integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë të Veriut në BE është i rëndësishëm për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Ai tha se po punon me bullgarët dhe maqedonasit për zgjidhjen e konfliktit duke vlerësuar durimin e Shqipërisë në këtë proces. Më tej ai theksoi se “kjo punë të kryhet gjatë presidencës franceze”.
“Diskutuam se kur do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare. Jam në një tur të Ballkanit Perëndimor. Ne duhet patjetër që të përdorim gjithçka që kemi në dorë. Nuk mund të kemi një luftë në Evropë dhe të mos përdorim të gjitha mundësitë për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor. Është e vërtetë, që në këtë proces ne jo vetëm që shikojmë stabilitet por mund të vendosim stabilitet afatgjatë. Prandaj nuk mund të jap aspak kohë atyre që janë të përfshirë që të mos bëjnë atë që duhet bërë. Ne duhet ta marrim këtë vendim në tryezë dhe të ecim përpara. Nëse nuk i marrim atëherë do të thotë që po heqim dorë nga ai mandat. E vlerësojmë shumë durimin e Shqipërisë. Kërkoj pak më shumë durim nga ana juaj. Kjo punë të kryhet gjatë presidencës franceze.Integrimi i BE nuk ka të bëjë vetëm me procesin por nuk duhet t’i largojmë sytë nga realiteti i përbashkët. Do shkoj në Shkup e Sofje çdo ditë po të jetë nevoja. Duhet ta mbyllim këtë punë, e më duhet ta mbyllim tani.”, tha ai.