Një grup trafikantësh droge që tregtonin kryesisht kokainë janë dënuar në total me 70 vite burg nga drejtësia italiane.
Bëhet fjalë për një grup prej 10 personash me kombësi italiane dhe shqiptare, ku këta të fundit janë drejtues.
Ata operonin kryesisht në të gjithë veriun e Italisë dhe ishin me bazë në Rovigo.
Trafikantët arrestuan si pasojë e hetimeve afatgjata të nxitura nga kapja e një ngarkese kokaine prej 25 kilogramësh, sasi e cila ishte fshehur në djath.
Ajo po transportohej në kamper nga Holanda për në Itali.
Fillimisht prokurori i çështjes kishte kërkuar në total 93 vite burg për bandën, masë e cila ra përfundimisht në 70 vite.
Dënimi më i rëndë erdhi për të riun shqiptar Erion Fejmi i konsideruar si kryer kreu i bandës, të cilit iu taksuan 16 vite burg dhe 40 mijë euro gjobë.
Ndër të tjera gjykata italiane vendosi 7 vjet burgim e 28 mijë euro gjobë për Giovanni De Bortoli, 7 vjet burgim dhe 28 mijë euro gjobë për Ciro De Sury, 7 vjet burgim për Glorildo Halili, si dhe po aq vite e 30 mijë euro gjobë për Mateo Kolaj.
Po ashtu, gjykata vendosi nga 4 vjet e 8 muaj burgim dhe 17 mijë euro gjob për Angela Marchio, Gian Franco Miroglio dhe Francesco Salerno, 8 vite burgim dhe 32 mijë euro gjobë për Luigi Rilievon, 6 vjet burgim e 26 mijë euro gjobë për kamionistin Aniello Sorvillo.