Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një dëm ekonomik me vlerë 270 milionë euro në administratën publike gjatë vitit 2025. Abuzimet më të mëdha janë gjetur në Dogana dhe në Avokaturën e Shtetit.
Në raportin vjetor, KLSH bën të ditur se ka zhvilluar 190 auditime dhe ka dhënë 5,000 rekomandime për shkak të shkeljeve të konstatuara në institucionet publike.
Dëmi më i madh ekonomik është evidentuar në Dogana, rreth 65 milionë euro, si pasojë e mosrealizimit të të ardhurave nga TVSH-ja në import, akcizat dhe deklarimet e pasakta të mallrave. Në Avokaturën e Shtetit, dëmi arrin në 10.5 milionë euro, për shkak të mosmenaxhimit efektiv të çështjeve gjyqësore dhe arbitrazhit ndërkombëtar, ku vonesat dhe mosveprimet kanë sjellë kosto shtesë për buxhetin.
Në sistemin tatimor, dëmi llogaritet rreth 10 milionë euro dhe lidhet me trajtimin e pasaktë fiskal të transaksioneve apo kreditimin e gabuar të TVSH-së.
E njëjta situatë evidentohet edhe në prokurimet publike. Institucione të tjera ku janë zbuluar abuzime janë Kadastra, Porti i Durrësit, AKU-ja dhe Agjencia e Zonave të Mbrojtura. Në nivel vendor, Bashkia Fier evidentohet me rreth 2.5 milionë euro dëm, ndërsa bashki të tjera kontribuojnë përmes pasqyrave financiare të pasakta dhe menaxhimit joefektiv të fondeve.
KLSH thekson se në shumë raste mungon rakordimi i të dhënave, regjistrimi i plotë i detyrimeve dhe ndjekja e borxheve të prapambetura.



