Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X, pas zgjedhjes së Klodian Brahos në krye të SPAK.
Rama i ka uruar punë të mbarë Brahos, duke u shprehur se ai u zgjodh mes katër kandidatëve, për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit.
Po ashtu, Rama përgëzoi edhe Altin Dumanin, duke u shprehur se meriton komplimente për drejtimin e Strukturës së Posaçme.
Në fund, Rama shprehet se SPAK ka pasur dhe vazhdon që të ketë mbështetjen e shumicës qeverisëse, për ta përmbushur me pavarësi, misionin e vet.
“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut, i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij. SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet”,shkruan Rama.
Kujtojmë se sot më datë 11 dhjetor 2025, KLP zgjodhi me shumicë votash Klodian Brahon si drejtues të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Në garë, së bashku me të, për drejtimin e SPAK ishin edhe prokurorët Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu e Elvin Gokaj.



