Pesë murgesha janë larguar nga manastiri i mbyllur në Vittorio Veneto, në provincën e Trevisos, për shkak të një klime të konsideruar të papërballueshme. Dhe të paktën katër të tjera janë gati për t’i ndjekur. Ngjarja ka ndodhur në manastirin e Santi Gervasio e Protasio, ku jetonin 27 murgesha të Urdhrit të Klarisave.
Konflikti shpërtheu pasi abatesha e re, motra Aline Pereira Ghammachi, u shkarkua nga Vatikani. Në vend të saj, autoritetet kishtare vendosën një komision të jashtëm për të menaxhuar komunitetin fetar. Vendimi u mor për shkak të “situatave kritike në jetën e komunitetit”, që kishin të bënin me “ushtrimin e autoritetit dhe marrëdhëniet e brendshme”.
Drejtimin e përkohshëm të manastirit tani e ka marrë nëna Martha Driscoll, një murgeshë e lindur në SHBA, e cila më parë ka qenë presidente e Federatës Italiane të Manastireve të Klarisave.
Por një pjesë e murgeshave nuk e pranuan këtë ndryshim. Më 29 prill, tre prej tyre u paraqitën në polici për të raportuar se kishin braktisur manastirin në mënyrë të organizuar, bashkë me dy murgesha të tjera, “për shkak të rrethanave të rënda”. Ato nuk kanë zbuluar vendndodhjen e tyre dhe janë të vendosura të mos kthehen.
Murgeshat e larguara kërkojnë të lirohen nga betimet fetare dhe t’u lejohet të jetojnë jashtë manastirit. Por autoritetet kishtare kanë theksuar se largimi i tyre është një akt mosbindjeje dhe janë në pritje të një vendimi nga Vatikani.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin e Vittorio Veneto, ku manastiri është një institucion i njohur për prodhimin e mjaltit, kremrave natyralë dhe ndihmën që ofron për të varfrit. Tani, manastiri ndodhet në një krizë të thellë të brendshme, ndërkohë që Vatikani po përpiqet të rikthejë qetësinë dhe rendin në komunitetin e mbyllur.