Një kirurg ka gjetur një mënyrë të re për të hequr tumoret në tru “sa një kokërr molle” përmes vetullave të pacientëve duke u bërë ndoshta i pari në botë që e aplikon.
Neurokirurgu Anastasios Giamouriadis ka përshtatur metodën ekzistuese për të hequr tumoret dhe pacientëve u mbetet vetëm një shenjë e vogël dhe syri i nxirë. Ndërhyrja përfundon brenda tri orësh dhe disa persona mund të largohen nga spitali pas 24 orësh e të kthehen në punë pas disa ditësh.
Operimi i tumoreve në pjesën e përparme të trurit kërkon që kirurgët të heqin një pjesë të madhe të kafkës, një proces që njihet si kraniotomi, duke ekspozuar pjesët e shëndetshme të trurit.
Giamouriadis, i cili punon për NHS Grampian thotë se kjo lloj kirurgjie s’është e re por ai e ka modifikuar për “të pasur më shumë hapësirë përmes vetullës” duke e lejuar “të heqë tumore truri shumë të mëdha”.
Ai thotë se kjo teknikë “ndryshon gjithçka dhe është më pak invazive. Zakonisht njerëzit do të kishin shenja në të gjithë ballin dhe kështu ne e shmangim. Më parë na duhej një kraniotomi për të hyrë. Kjo kërkon shumë kohë. Vetëm për të mbërritur te tumori duhen tri orë. Në total, operacioni merr 8-10 orë”.
Deri më tani, Giamouriadis dhe ekipi i tij e kanë kryer këtë ndërhyrje në 48 pacientë. “Nuk dimë nëse ka ndonjë tjetër në botë që ka arritur të heqë tumore kaq të mëdha sa ne”, tha ai për metodën e tij të re.
Kirurgu shpreson se një ditë të mund të përdorë realitetin virtual për t’u mësuar kirurgëve të tjerë si ta aplikojnë procedurën e re.