Kim Jong-un udhëton drejt Kinës me tren të blinduar për të marrë pjesë në përkujtimin e Luftës së Dytë Botërore
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka kaluar kufirin drejt Kinës mëngjesin e së martës me një tren të blinduar, për të marrë pjesë në ceremonitë që shënojnë 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me ftesë të presidentit kinez Xi Jinping.
Vizita pritet të zgjasë 24 orë dhe do të shënojë praninë e parë të Kim në një ngjarje shumëpalëshe ndërkombëtare, ku spekulohet edhe për një takim të mundshëm me presidentët e Kinës dhe Rusisë.
Pyetje ka ngjallur zgjedhja e trenit në vend të avionit, një udhëtim që do të zgjaste vetëm 2.5 orë, por sipas analistëve, treni simbolizon kontroll, siguri dhe vazhdimësi, duke reflektuar traditën e familjes Kim për udhëtime të tilla. Treni përmban ambiente jetese, zyra dhe sisteme komunikimi satelitor, duke shërbyer si një qendër komande në lëvizje.
Kim shoqërohet nga zyrtarë të lartë të partisë, bashkëshortja dhe motra e tij, ndërsa Kina po përgatitet për një paradë ushtarake madhështore të mërkurën në Pekin.