Këshilltari i Sarkozy i kërkon Macron të falë ish-presidentin francez

Këshilltari i ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy i ka kërkuar publikisht presidentit Emmanuel Macron që t’i japë atij një falje presidenciale.

Henri Guaino, i cili shërbeu si këshilltar special i Sarkozisë, e përshkroi situatën serioze dhe e quajti dënimin e Sarkozisë si një poshtërim për shtetin francez dhe institucionet e tij.

“Ajo që ndodhi dje ishte jashtëzakonisht serioze. Ne ishim dëshmitarë të gjykimit pa prova. Unë e konsideroj se është një lloj grushti shteti gjyqësor kundër ndarjes së pushteteve”, tha ai.

Guaino i bëri thirrje Presidentit Macron të ushtrojë fuqinë e tij kushtetuese për të falur ish-udhëheqësin. Ish-këshilltari argumentoi se një falje nuk do ta fshinte dënimin dhe mund të ishte e pjesshme në zbatimin e saj.

Për më tepër, ai shtoi se: “Një falje presidenciale mund të eliminonte potencialisht vendimin për të burgosur ish-kreun e shtetit.”

Sarkozy ka zhvilluar herë pas here takime private me Macronin pavarësisht dallimeve të tyre politike, shkruan The Sun.

Ndërkohë, gjykata e dënoi ish-presidentin 70-vjeçar me pesë vjet burg të enjten për një skemë që përfshinte diktatorin e ndjerë libian, Muamer Gadafi, në financimin e fushatës së tij të vitit 2007.Ai duhet të fillojë menjëherë vuajtjen e dënimit me burg, ndërsa pret rezultatin e procesit të apelimit.

 

Të Fundit