Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve është mbledhur sërish sot për të vendosur mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj, por edhe për kontroll në banesën e tij.
Një ditë më parë, Këshilli e shtyu vendimmarrjen me kërkesë të avokatëve të Ahmetajt, të cilët kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me dosjen. Në një lidhje me edicionin e lajmeve në Tv Klan, gazetarja Elja Zotka tha se nga komunikimi që kishte pasur me disa për prej anëtarëve të mazhorancës në këtë Këshill, qasja e tyre duket pro kërkesës së SPAK.
“Nga komunikimet që unë kam paur me disa nga 5 anëtarët e mazhorancës në Këshillin për Rregulloren, Imunitetet dhe Mandatet, duket sikur qasja e tyre është, nëse mund të thuhet kështu, për ta lëshuar ish-kolegun e tyre dhe për t’i dhënë autorizimin SPAK-ut për arrestin dhe më pas kontrollin e banesës. Megjithatë gjithçka mbetet për t’u parë. Ndërkohë që është duke u diskutuar dhe fakti nëse do të ketë një seancë të jashtëzakonshme, për raportin i cili duhet të përgatitet brenda ditës së sotme dhe për t’iu dërguar seancës plenare për miratim, apo nëse do të miratohet në seancën e datës 20 Korrik. Kjo pasi për seancën e nesërme tashmë miratuar rendi i ditës dhe është e pamundur që të futet në rendin e ditës së kësaj seance”, thotë gazetarja Elja Zotka.
Siç pranuan edhe një ditë më parë avokatët e tij, Ahmetaj është jashtë Shqipërisë. Por a dihet se ku ndodhet ai?
“Informacionet paraprake janë që zoti Ahmetaj vetëm pak orë përpara se të firmosej urdhërarresti për të, të jetë larguar nga pika kufitare e Qafë Thanës drejt Greqisë. Më pas mësohet që ai ka blerë një biletë online për të fluturuar drejt Italisë, por mesa duket nuk e ka konsumuar këtë biletë. Nuk e dimë nëse ka humbur avionin, apo ka qenë një mënyrë kjo për t’iu shmangur ndjekjes nga organet e drejtësisë. Ndërkohë, Zëri i Amerikës ka raportuar dje nga informacione jo zyrtare, se sinjali i fundit telefonik nga telefoni i zotit Ahmetaj është kapur në Kanada. Nuk dihet sa i vërtetë është ky lajm. Në fakt për largimin e zotit Ahmetaj në Kanada foli dje edhe një nga anëtarët e Këshillit, Gazment Bardhi, që këtë pyetje ia drejtoi përfaqësuesve të SPAK të cilët nuk dhanë një përgjigje nëse kishin dijeni për një lajm të tillë. Ndërkohë që avokatët mbrojtës pranuan që zoti Ahmetaj ishte jashtë vendit, por sipas tyre kjo nuk është një arratisje, por thjeshtë do të kthehet sërish për t’u përballur me drejtësinë”, theksoi gazetarja Elja Zotka.
Kujtojmë që Këshilli i Mandateve u mblodh të martën dhe zhvilloi katër orë diskutime. Arben Ahmetaj nuk ishte i pranishëm, por dy avokatët e tij mbrojtës u përballën me kërkesën e SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin e tij.
Avokatët kërkuan më shumë kohë për të shqyrtuar dosjen e mbërritur nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme. Avokatët bënë me dije para këshillit se Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri, por siguruan se nuk është në arrati. Megjithatë nuk bënë të ditur se ku është konkretisht.
Prokuroria e Posaçme i kërkon Kuvendit të hapë rrugën për arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilin po e heton për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, si dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.