Kërkonte lirimin nga burgu, seanca për ish-deputetin Salianji shtyhet për të hënën

Këtë të martë në orën 13:00 ishte parashikuar seanca gjyqësore për kërkesën e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, për lirimin me kusht nga burgu.

Por, ndërkohë që të gjithë prisnin një lirimit të mundshëm, seanca u shty për ditën e hënë, pasi Burgu i Fierit nuk kishte dërguar dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin e kërkesës.

Kujtojmë se Salianji kishte depozituar kërkesën në Gjykatën e Fierit, duke argumentuar se kishte përmbushur dy të tretat e dënimit me burg.

Ai ndodhet në burg që nga tetori i vitit 2024, pasi u dënua me një vit burg për kallëzim të rremë në çështjen e njohur si “Babale”.

Vendimi i formës së prerë i Apelit u konfirmua edhe nga Gjykata e Lartë në mars të këtij viti.

Në vitin 2018, Salianji publikoi një audio-përgjim, ku pretendonte se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafik droge.

Megjithatë, hetimet e Gjykatës së Lartë e cilësuan materialin si të montuar dhe dëshmitarët si të rremë. Salianji ka deklaruar vazhdimisht se çështja është një proces politik i montuar kundër tij.

Të Fundit