Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi debatin e brendshëm në Partinë Socialiste, pas deklaratës së kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla, se do të merren masa dhe do të diskutohet mungesa e ish-ministres Elisa Spiropali në seancën parlamentare për imunitetin e Ballukut.
Berisha tha se kërkesa e Spiropalit për mbledhje të grupit dhe diskutime të hapura, është si të kërkosh “debat të hapur në shpellën e mafias”.
“Elisa kërkon qiqra në hell. Elisa kërkon në shpellën e mafies debat të hapur. Pra, kjo është shprehja më e butë që mund të përdor për kërkesat e Elisës. Kërkon debat të hapur dhe ia kërkon Taos debatin. Ky është komenti”, u shpreh Berisha.“
Kujtojmë që në mesazhin e saj, Spiropali iu drejtua kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, duke theksuar rëndësinë e konsultimit dhe vendimmarrjes së përbashkët.
“Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike. Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë”, shkruante Spiropali.
Ajo nënvizoi se vendimmarrja kolektive është një element kyç për funksionimin e grupit parlamentar të PS-së dhe për legjitimitetin politik të vendimeve:
“Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr.”
Në përfundim, Spiropali theksoi rëndësinë e përgjegjësisë ndaj publikut në çdo vendim politik:
“Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut”, shkruante ajo.



