Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Tulant Balla ka debatuar në Kuvend me ish-kryeministrin Sali Berisha për investimet e bëra në veri në vendit. Berisha akuzon qeverinë se ka “diskriminuar” qarkun e Kukësit sa i përket investimeve, por këto deklarata Balla i cilësoi si tentativa të liderit historik të demokratëve për të mbjellë ndasi mes veriut dhe jugut në vend.
Balla i tha Berishës se qeveria Rama ka investuar më shumë në vendlindjen e tij Tropojë sesa ai vetë kur ishte në pushtet. Sipas tij, qeveria socialiste nuk ka bërë dallime mes të majtëve e të djathtëve kur vjen puna tek investimet.
“Hiqni emrin e katranit, hajdeni me një listë të re. Sa ka emrin e dikujt që është njëlloj si Sigurimi i Shtetit, s’e pranojmë. E quaj të eazuruar këtë pjesë. Sa i përket përpjekjes për të mbjellë ndasi mes veriut e jugut të Shqipërisë. Për të krijuar idenë sikur ka ndarje mes veriut e jugut e për të kritikuar qeverisë se paskësh lënë pas dore veriun, mendoj se shembulli më kuptimplotë janë investimet në Tropojë.
U ftoj të shikoni pamjet, si ishte Bajram Curri në 2013 dhe si është sot. Si ishte rruga për në Valbonë në 2013 dhe si është sot. Merreni dhe pyesni kryetarin e bashkisë, sa investime ka marrë 2015-2019. Ishte i PD, por këto vite kishte kryeministër Edi Ramën, e më parë ka pasur Sali Berishën. Disa-fish më të larta investimet në Bajram Curr, krahasuar me kohën kur ishte Berisha. Kjo prirja 30-vjeçare e një individi për ta ndarë Shqipërinë copash ka marrë fund. Nuk ka asnjë dallim, se është socialist se është demokrat. Ne po punojmë për të siguruar investime në çdo cep të territorit. Duke mos harruar që kemi kaluar betejën e tërmetit dhe pandeminë,” tha Balla në Parlament.
Në replikën e tij, ish-kryeministri iu drejtua kreut të Grupit Parlamentar të PS-së si një “mashtrues ordiner” ndërsa përsëriti edhe një herë se diskriminim nga ana e qeverisë ka.
“Një mashtruesi ordiner i thuhet kur s’ke turp, thuaj gjithçka. Në 2011-2015 janë ndërtuar 280 km rrugë, Qafë-Mali Fierzë, rrugën Lekbibaj, Qafë-Morinë, etj…Rruga e Valbonës pati probleme, u përfundua në 80% në 2013. Distanca, Tiranë-Tropojë falë Rrugës së Kombit u shkurtua…Pra, diskriminim absolut total, kjo është e vërteta. Si ndjeheni ju kur kryetari juaj del e mashtron në këtë mënyrë. A bëni mbledhje apo nuk bëni mbledhje ju?