“Kërkoj ndjesë për ndotjen dhe tymin që është përhapur ditët e fundit”, kryebashkiaku i Elbasanit flet pas shuarjes së zjarrit në landfill

Bashkia Elbasan ka bërë një reagim lidhur me situatën në Landfillin e Elbasanit. Pas gjashtë ditësh me përballje intensive me flakët në landfillin e qytetit, situata është thuajse nën kontroll të plotë.

Sipas autoriteteve, 95% e zjarrit është shuar, ndërsa pjesa e mbetur përbëhet kryesisht nga avuj dhe gazra të mbetur nga materialet e djegura dhe uji i përdorur për fikje.

Në vendin e ngjarjes ka qenë i pranishëm çdo ditë kryetari i Bashkisë Elbasan, si edhe drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara.

Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se “kjo është një betejë që po e fitojmë bashkërisht”, ndërsa theksoi se angazhimi i strukturave vendore dhe qendrore ka qenë maksimal.

“Është dita e gjashtë e luftës që bëjmë bashkërisht, bashkë me zjarrfikësit e Elbasanit, zjarrfikësit kombëtarë, emergjencat civile, forcat e ushtrisë, si edhe me kompanitë private që operojnë në Elbasan, të cilat kanë dhënë një dorë të mirë në fikjen e zjarrit,” deklaroi Llatja për mediat.

Më tej, ai shtoi se është bërë një punë kolosale dhe vatra fillestare tashmë është e izoluar: “Ne mendojmë se e kemi vënë në kontroll. Është akoma vatra fillestare, e cila, siç shihet pas nesh, vazhdon dhe shkrin. Besoj se do të vazhdojë edhe dy ditë, por gjithçka është e izoluar. Ka vetëm gaz dhe avull, për shkak të ujit të tepërt që është hedhur në landfill.”

Llatja gjithashtu falënderoi të gjitha strukturat për angazhimin dhe përpjekjet e pandërprera.

“Unë dua të falënderoj zjarrfikësit, forcat e mbrojtjes, ushtrinë, të gjithë ata që kanë kontribuar në vënien nën kontroll të situatës në landfillin e Elbasanit. Kemi bërë përpjekje maksimale. I gjithë stafi i emergjencave civile ka qenë këtu që në momentin e parë dhe deri më sot jemi në dispozicion pa orare, në bashkëpunim edhe me ASHP-në, ndërmarrjen publike të Bashkisë së Elbasanit, por edhe me zjarrfikësit e qarqeve të tjera Fier, Berat, Kamëz, Tiranë, të cilët na janë vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Zjarrfikësve.”

Duke folur për gjendjen aktuale në terren, kreu i bashkisë bëri të ditur se nuk ka më vatra të reja dhe as përhapje të vatrave ekzistuese. Ai theksoi se punimet për kapsulimin e mbetjeve të ekspozuara ndaj agjentëve natyrorë do të vijojnë deri në eliminimin e plotë të rrezikut.

Në fund, Llatja bëri edhe një apel publik dhe një ndjesë për qytetarët.

“Duam t’i bëjmë apel të gjithë qytetarëve, jo vetëm të Elbasanit por të gjithë Shqipërisë, zjarret zakonisht vijnë ose nga pakujdesia, ose nga zjarrvënia e qëllimshme. Edhe një zjarr i vogël për nevoja bujqësore mund të sjellë një katastrofë.

Ndërkohë, dua të kërkoj ndjesë për ndotjen dhe tymin që është përhapur ditët e fundit. Kemi qenë në terren pa ndalim dhe do të qëndrojmë këtu deri në përfundimin e plotë të operacionit.”

Ndërkohë, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, e cilësoi këtë si një nga operacionet më sfiduese të dekadës së fundit. I ndodhur gjithashtu në vendin e ngjarjes, Cara u shpreh se përballja me materialet plastike dhe komponime të tjera ndotëse e bëri zjarrin jashtëzakonisht të vështirë për t’u shuar.

“Ka qenë një nga operacionet më të vështira të viteve të fundit, pasi kemi pasur të bëjmë me një zjarr mbytës në vetvete, me disa lloj komponentësh si plastika dhe shumë materiale të tjera.

Është dashur të përdorim qindra kilogramë shkumë dhe tonelata inerte për të mbuluar zjarrin dhe për ta mbajtur të izoluar.”
Ai vlerësoi bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme dhe bashkitë e tjera, të cilat vunë në dispozicion mjete dhe forca zjarrfikëse nga Berati, Tirana, Kamza dhe më gjerë.

“Tashmë 95% e vatrës së zjarrit është totalisht e izoluar. 5% e mbetur përbëhet nga avuj dhe gazra, por pa prani flakësh. Mund të themi me bindje që ky zjarr është i menaxhueshëm dhe do të mbahet nën kontroll edhe në ditët në vijim,” u shpreh Cara.

Ai theksoi se situata është nën monitorim të vazhdueshëm dhe çdo zjarr i ri do të trajtohet me reagim të menjëhershëm. Ndër të tjera, ai i bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë, të njoftojnë menjëherë për çdo vatër të re dhe aty ku është e sigurt të ndihmojnë në fikjen e saj.

“Çdo vatër zjarri nis e vogël dhe kthehet në një vatër masive. Ndaj ndërhyrja në momentin e parë është vendimtare,” theksoi drejtori i zjarrfikësve.

Të Fundit