Kërkoi lirinë kundrejt garancisë pasurore, Apeli i GJKKO merr vendimin për Veliajn

Ka përfunduar seanca gjyqësore në Apelin e Gjykatës së Posaçme për kryebashkiakun në detyrë të Tiranës, Erion Veliaj. Trupa gjykuese vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, të dhënë më herët ndaj tij.

Sa i përket kërkesës për zëvendësimin e masës me garanci pasurore, avokatët e Veliajt nuk ofruan një shumë të caktuar, duke ia lënë vendimmarrjen gjyqtares.

Në përfundim, gjykata nuk pranoi ndryshimin e masës dhe vendimi për “arrest me burg” mbetet në fuqi.

Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej 10 shkurtit të këtij viti.

Ai po hetohet për korrupsion pasiv në 9 episode dhe për pastrim parash, për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

SPAK ka zgjeruar hetimet edhe ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila dyshohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Sipas SPAK Veliaj së bashku me bashkëshorten dhe kompanitë në emër të saj kanë ngritur një skemë komplekse për përvetësimin e fondeve të Bashkisë Tiranë.

Po ashtu, nën akuzë janë vënë pesë biznesmenë, të cilët, sipas hetimeve, kanë paguar ryshfet për të siguruar fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Të Fundit