Një stuhi reagimesh ka shpërthyer në Itali pas publikimit në rrjetet sociale të një mesazhi tronditës, në të cilin një përdorues i Instagram-it, që sipas informacioneve punon në Ministrinë e Arsimit dhe Meritës, i uronte vajzës së Kryeministres Giorgia Meloni, Ginevra, të njëjtin fat tragjik si Martina Carbonaro, vajza e re nga Afragola e vrarë nga i fejuari i saj.
Mesazhi u bë publik nga Fratelli d’Italia përmes një postimi në rrjetin social X, ku forca politike e cilësoi atë si një akt “horror” dhe “shprehje të papranueshme të urrejtjes politike që po kalon çdo kufi njerëzor dhe institucional”.
Kryeministrja Giorgia Meloni reagoi menjëherë, duke theksuar se kjo nuk është një përplasje politike, por një shenjë e një klime të kalbëzuar shoqërore.
“Kjo nuk është përballje politike. Nuk është as zemërim. Është diçka më e errët që tregon një klimë të sëmurë, një urrejtje ideologjike, ku gjithçka duket e lejueshme, madje edhe të urosh vdekjen e një fëmije për të goditur një prind. Politika duhet të dijë të bashkohet për të refuzuar këtë klimë të dhunshme. Ekzistojnë kufij që nuk duhen kaluar kurrë”, shkruan Meloni.
Motra e kryeministres dhe zyrtarja e Fratelli d’Italia, Arianna Meloni, reagoi po ashtu në rrjetet sociale.
“Deri kur duhet të durojmë? Deri ku duhet të shkojmë? Përballë kësaj barbarie të neveritshme, ndjejmë gjithë zemërimin e mundshëm. Dënimi duhet të jetë unanim dhe i fuqishëm. Giorgia-s dhe Ginevra-s, përqafimi im më i ngrohtë dhe mbrojtës”, shkruan ajo.
Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, konfirmoi se janë duke u zhvilluar hetime për të identifikuar autorin e mesazhit.
“Shpreh solidaritetin tim për Kryeministren Meloni dhe të afërmit e saj. Ky është një akt i padenjë dhe i papranueshëm. Autoritetet do të marrin masa shembullore. Nuk do të ketë asnjë tolerancë për dhunën”, tha ai.