“Kemi menaxhuar 400 vatra zjarri pa humbje jetësh”, Peleshi: Të ngrihen grupe me 5 vullnetarë në çdo fshat

Në një mbledhje mes kryeministrit Rama, ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi dhe drejtuesve të bashkive lidhur me situatën e zjarreve në vend, u theksua se muaji Gusht pritet të jetë sfidues dhe duhet të angazhohen të gjitha bashkitë.

Niko Peleshi bëri një përmbledhje të situatës gjatë vitit të kaluar, ndërsa tha se vetëm këtë verë, ende pa arritur në kulmin e sezonit, janë menaxhuar 400 vatra zjarri në gjithë vendin, pa asnjë jetë dhe banesë të humbur.

 

“Vitin e kaluar 60 nga 61 bashki kanë patur vatra zjarri. Ka qenë një nga vitet më kulmore në numrin e vatrave të zjarrit dhe egërsinë e zjarrit. Ky vit pritet të jetë edhe më i nxehtë. Akoma nuk jemi në mes të sezonit dhe kemi menaxhuar 397 vatra zjarri në të gjithë Shqipërinë.

Kemi mundur 400 vatra zjarri t’i menaxhojmë pa asnjë jetë të humbur. Prioriteti janë jetët e njerëzve, pastaj banesat. Asnjë banesë deri më sot, ndonëse nuk kemi një numër kaq të madh vatrash nuk është dëmtuar. Kemi patur dëmtime në bimësi, por jo zjarre në zona të mbrojtura, pyje, pasuri natyrore, kemi mundur t’i mbajmë aty.

Beteja e fundit që po mbyllet me sukses është në Dropull-Finiq, në dy bashkitë minoritare ku ka rrezikuar zjarri të kapërcejë edhe në zona të mbrojtura, por është bërë një punë shumë e madhe nga toka e ajri, forca të shumta të armatosura, zjarrfikës e forca të bashkisë po e mbajnën nën kontroll. Vatrat më kritike deri tani kanë filluar me Sazanin, më tej në Orosh, Mirditë deri para pak ditësh ka qenë një zjarr tepër i vështirë, ku u këcënuan  edhe banesa, por u shmang më e keqja. Mali i Çikës në Berat, Dropulli ishte i fundit dhe Shetaj në Durrës gjithashtu ka qenë një vatër shumë kritike”.

“Nuk kursejmë asgjë, nuk kemi kursyer asgjë, deri tani janë angazhuar 6997 forca, pra një ushtri e tërë  është angazhuar deri tani në fikjen e zjarreve”, tha Peleshi ndërsa njohu të pranishmit me statistikat ekzakte dhe shtoi se nuk duhet t’i mbajnë shpresat vetëm te mjetet ajrore, por çdo gjë të nisë nga njësia më e vogël. ”Mjetet tona ajrore janë në gatishmëri, por janë të limituara”, tha ministri.

Më tej, ai solli në vëmendje edhe VKM e vitit të kaluar, e cila njeh një fond të posaçëm për vullnetarët, që sigurisht nuk kanë një shpërblim, por iu mbulohen të gjitha shpenzimet nga bashkia. Ministri iu kërkoi në mënyrë urgjente drejtuesve ngritjen e grupeve të vullnetarëve në çdo fshat për të sinjalizuar sa më shpejt zjarret.

“Kostot e vullnetarëve i paguan bashkia brenda një fondi jo të vogëël që ne kemi shpërndarë, siç e tha kryeministri janë 1 miliard Lekë, 10 milionë Dollarë të shpërndara si transferta të kushtëzuara si investime dhe shpenzime për emergjencat civile. Së fundmi kemi shpërndarë edhe fondin për 20 projekte për parandalimin e zjarreve, natyrisht nuk kanë vlerë për Gushtin, por kanë vlerë për Gushtin tjetër sepse janë të gjitha projekte që ndikojnë për parandalimin, qofshin këto edhe të zjarreve. 6-7 milionë Dollarë në total janë shpërndarë te bashkitë në mënyrë të decentralizuar. Jemi të gjithë pak vonë, por do ju kërkoja të nxitoni me prokurimet dhe realizimin e tyre sa më shpejt. Bazën për vullnetarët e keni, ju lutem urgjentisht, në çdo fshat ngrini grupe me 5 vullnetarë, qoftë duke shfrytëzuar këtë VKM, qoftë duke shfrytëzuar strukturat tuaja. Sinjalizimi i hershëm është jetik. Të ngrihen grupe me 5 vullnetarë në çdo fshat”.

Peleshi bëri me dije se këtë vit do të vazhdojnë të përdoret infrastruktura që ndodhet në dispozicion, por verën e ardhshme priten mjete të reja me teknologji të lartë.

“Vitin tjetër do kemi forca teknologjike nga më modernet në Europë me shërbimin satelitorë dhe me dronë që vitin tjetër do jenë në shërbim”, tha ai ndërsa iu kërkoi drejtuesve të shtojnë vigjilencën dhe të tregohen alertë gjatë Gushtit./tvklan.al

Të Fundit