Kryeministri shqiptar, Edi Rama gjatë një diskutimi në Davos bëri një deklaratë tjetër që nxiti reagime të shumta jo vetëm në rrjete sociale.
Edi Rama goditi hipokrizinë e Bashkimi Evropianit që kërkon standarde më të larta të anëtarëve aspirantë se sa zbaton për veten. Kështu nis shkrimin e saj Politico Europe.
Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola të enjten se “Karma është k…” – duke iu referuar skandalit të madh korrupsioni që ka tronditur institucionin e Bashkimit Evropian javët e fundit.
Duke lënë të kuptohet hipokrizinë mbi korrupsionin nga vendet tashmë në klub – dhe vetë Parlamenti Evropian – Rama sugjeroi që BE-ja tani kërkon standarde më të larta nga anëtarët e mundshëm (si Shqipëria) sesa anëtarët e saj.
“Më shumë se gjysma e vendeve të BE-së nuk do të mund të hynin më në BE”, tha Rama, duke folur në një panel të POLITICO në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
“Nuk po flas për ish-komunistët. Po flas edhe për themeluesit, më besoni”, ka deklaruar kryeministri Edi Rama.
Parlamenti Evropian ka qenë në qendër të një hetimi të gjerë nëse qeveritë e huaja, përfshirë Katarin dhe Marokun, kanë ndikuar ilegalisht në punën e tij.
Hetimi ka futur në kurth një ish-nënkryetar të Parlamentit, një ish-deputet, një asistent parlamentar dhe një shef të OJQ-ve dhe ka hedhur një dritë të ashpër mbi procedurat e institucionit për t’u marrë me konfliktet e mundshme të interesit.
Rama pretendoi se procesi i anëtarësimit për vendet kandidate është i ndryshëm nga kur vende si Malta, vendi i origjinës së Metsolës, u bënë anëtarë të bllokut, duke thënë se ai është bërë “tepër neurotik dhe një gjë e padrejtë”.
Metsola theksoi se Parlamenti “ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht pozitiv kur ishte fjala për zgjerimin e BE-së, sepse shumë prej nesh e mbajnë mend kohën kur u anëtarësuam”.