Një sasi e madhe marijuane, 215 kilogramë, është sekuestruar nga policia greke në zonën e Janinës, duke goditur një rrjet trafiku që dyshohet se kishte hyrë në Greqi nga kufiri i gjelbër.
Në pranga kanë rënë tre shtetas shqiptarë, mes tyre edhe një grua, e cila drejtonte automjetin e ngarkuar me drogë. Ata akuzohen për trafik narkotikësh, dhunë ndaj punonjësve të policisë, drejtim të rrezikshëm mjeti, dëmtim të pronës dhe shkelje të ligjit për të huajt.
Ngjarja ndodhi në aksin Janinë–Kozan, ku policia pikasi një automjet të dyshimtë, e shoqëruar nga një mjet tjetër që shërbente si eskortë. Shoferja nuk iu bind urdhrit për ndalim dhe tentoi t’i shpëtonte kontrollit, duke përshkuar një distancë të gjatë në zona të Grevenës. Gjatë ndjekjes, ajo përplasi qëllimisht dy herë automjetet e policisë, duke u shkaktuar dëme.
Ndjekja përfundoi në Vovousa të Janinës, ku mjeti u ndalua nga efektivët e Departamentit të Narkotikëve dhe njësitë O.P.K.E. Brenda makinës u gjetën 118 pako marijuanë, me peshë totale 215 kg. Në automjet ndodhej edhe djali 2.5-vjeçar i shqiptares.
Policia sekuestroi gjithashtu makinën, targa greke që i përkisnin një automjeti tjetër, targat origjinale shqiptare të fshehura brenda, peshore metalike për drogën, 2.7 gram marijuanë dhe tre telefona celularë.
Ndërkohë, në Filippei të Grevenës u lokalizua dhe u arrestua automjeti eskortë, ku udhëtonin dy shqiptarët e tjerë. Nga kontrolli u sekuestruan 510 euro dhe dy telefona celularë.
Të tre të arrestuarit do të dalin përpara Prokurorisë së Shkallës së Parë të Janinës, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit të trafikut.
Prej shtatorit, policia greke ka sekuestruar rreth 700 kg marijuanë që dyshohet se vinte nga Shqipëria. Rastet janë evidentuar në Igumenicë në rrugë tokësore e detare si dhe në Janinë, Selanik e Kostur.



