Një kamion me 80 emigrantë të paligjshëm është bllokuar në tentativë për të mbërritur në Tiranë.
I mbushur me sirianë, marokenë dhe algjerianë, kamioni është bllokuar në fshatin Leminot të Korçës, ndërkohë që në pranga janë vënë edhe 4 persona.
I pari që është arrestuar nga policia ka qenë shoferi që po drejtonte kamionin me emigrantë dhe pas pak minutash është arritur të arrestohen edhe 3 persona të tjerë që dyshohet se kishin rolin e shoqëruesit.
Për momentin, policia e Korçës nuk ka dhënë asnjë prej emrave të të arrestuarve. Mes emigrantëve të paligjshëm, kishte një numër të madh grash dhe fëmijësh.
Ende nuk ka të dhëna nëse zbulimi i këtij rasti trafiku ka qenë një operacion rastësor, apo si rezultat i punës hetimore të policisë kufitare.
Gjithsesi në vendngjarje, në karburantin ku ishte ndaluar kamioni, menjëherë kanë mbërritur dhjetëra forca policore, të cilët kanë bërë edhe shoqërimin e emigrantëve drejt qendrave të pritjes, ku edhe do të merren në pyetje për detajet e udhëtimit të tyre.
Ky është numri më i madh i emigrantëve që janë ndaluar ndonjëherë gjatë një aksioni në zonën kufitare të Korçës.