Tre tonë kokainë janë sekuestruar në Ekuador, sasi e cila sipas autoriteteve i përket mafias shqiptare që është e lidhur me kartelet e drogës kolumbiane dhe meksikane.
Lënda narkotike është gjetur të enjten në një fermë në qytetin jug-perëndimor të Guayaquil.
Për zhvillimin e këtij operacioni anti-drogë u angazhuan forca të shumta policore dhe të ushtrisë.
Shefi i policisë së Guayaquil tha se kokaina ishte e fshehur në një kamion të mbushur me arka bananesh, e cila ishte e paketuar me logo të ndryshme, gati për t’u nisur drejt portit.
Pas kontrolleve në fermë, policia ekuadoriane ka arrestuar pesë persona.
Lënda narkotike e cila u sekuestra kap vlerën e 90 milionë dollarëve.
Ministria e Mbrojtjes e përshkroi operacionin si një goditje të madhe për mafian shqiptare.
Policia vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe kapjen e tyre.