Kapen dy kinezë, krijuan faqe si të Postës për të vjedhur të dhënat e shqiptarëve

Policia e Tiranës ka arrestuar dy shtetas kinezë, Cunfeng Fan, 51 vjeç, dhe Haike Yan, 45 vjeç, të cilët dyshohen se kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare për të mashtruar qytetarët shqiptarë dhe për të mbledhur të dhëna personale dhe bankare.

Policia njofton se operacioni “Posta e Rreme” u finalizua pas njoftimeve të marra nga qytetarë për mesazhe mashtruese që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare.

Hetimet kanë treguar se të arrestuarit kishin hyrë në Shqipëri më 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar faqen e falsifikuar për qëllime mashtrimi,

Gjatë kontrollit në ambientin ku qëndronin, u sekuestruan: 17 telefona,1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë si dhe shuma parash në valuta të ndryshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

Policia e Shtetit rikujton qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj çdo mesazhi ose faqeje që kërkon të dhëna personale apo bankare dhe apelon:

Mos klikoni lidhje të dyshimta në email, SMS ose rrjete sociale;

Mos jepni të dhëna personale, numra kartash, PIN ose fjalëkalime në faqe që nuk janë zyrtare;

Kontrolloni gjithmonë adresën e saktë të faqes para çdo veprimi online;

Në rast dyshimi, raportoni menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.

Policia bën thirrje për qytetarët që ndoshta janë përgjigjur mesazheve mashtruese të paraqiten sa më shpejt për të marrë ndihmën e nevojshme dhe për të mbrojtur të dhënat e tyre personale dhe bankare.

Të Fundit